Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur i gatshëm të ulet në një tryezë me Vladimir Putin dhe Donald Trump për të përfunduar luftën në Ukrainë, teksa vlerësoi përpjekjet e presidentit amerikan për të “ndalur vrasjet”. Në një takim miqësor në Zyrën Ovale shumë ndryshe nga përplasja e fundit në shkurt Trump dhe Zelensky shkëmbyen batuta, komplimenta dhe shenja respekti reciprok, me Zelenskyn që i dorëzoi Trumpit një letër personale nga bashkëshortja e tij, Olena, për Melania Trump, lidhur me fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga Rusia.
Trump deklaroi se është i gatshëm të dërgojë trupa amerikane për të garantuar një marrëveshje paqeje, dhe se planifikon të telefonojë Putinin menjëherë pas takimeve në Shtëpinë e Bardhë. Ndërkohë, liderët e mëdhenj europianë si Macron, Meloni, Merz dhe Starmer u bashkuan në Washington për të mbështetur Zelenskyn dhe për të rikthyer presionin mbi Moskën pas lëshimeve të fundit të Trump në samitin e Alaskës. Zelensky ritheksoi se paqja duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme, ndërsa paralajmëroi se Rusia po vazhdon bombardimet dhe vrasjet për të sabotuar përpjekjet diplomatike. Nëse takimi trepalësh ndodh, ai mund të jetë vendimtar për fundin e luftës.