FLASH :

Zbulohet “zari” i Tom Doshit dhe Babasit, që qëndron pas basteve ilegale në Tiranë

Në dukje një i ri pa asnjë gjurmë në dosjet e Policisë. Në realitet: 26-vjeçari që drejton rrjetin multi-milionësh të basteve ilegale ‘333’ dhe ‘CR7’. ‘Pamfleti’ zbulon sesi Lendi Palaj i shpëton ligjit, i mbështetur nga elementë politikë dhe kriminalë…

Burime për “Pamfleti” bëjnë me dije se ekziston një raport i detajuar, i cili identifikon një person gati të padukshëm për publikun dhe organet e rendit, por që, sipas këtij raporti, mban në dorë fijet e basteve ilegale në Tiranë. Quhet Lendi Palaj, 26 vjeç, pa asnjë precedent penal të regjistruar, por i përmendur shpesh në qarqe të veçanta kriminale si menaxhuesi kryesor i pikave të paligjshme të basteve sportive. Madje, sipas burimeve, aktiviteti i tij lidhet ngushtë me elementë politikë e kriminelë që veprojnë në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

Kush është “i paidentifikuari” i pikave të basteve?

Në pamje të parë, Palaj nuk figuron në listat e bizneseve, nuk rezulton me kompani të regjistruara në QKB, dhe po ta kërkosh në faqet e kronikës, mund të mos gjesh asnjë gjurmë. Raporti e portretizon këtë person si “trurin” menaxhues të rrjetit të llotove me logot “333” dhe “CR7”. Pas publikimeve të lajmit këto logo u hoqën nga shumë lokale në Tiranë, por në thelb duket se aktiviteti vazhdon njësoj, veçse i pa ekspozuar.

Burime konfidenciale njoftojnë se javën e shkuar është kryer një aksion i papritur nga agjentët e BKH-së në disa nga pikat e basteve “CR7” dhe “333” në Tiranë. Ky operacion, ende i pakonfirmuar zyrtarisht, duket se ishte një përpjekje për të zbuluar aktivitetin e paligjshëm pas këtyre pikave. Sipas informacioneve, pavarësisht se iu hoqën logot, është folur për gjetjen e elementeve që lidhen me bastet e jashtëligjshme. Megjithatë, ende nuk raportohet për masa konkrete ndaj “trurit” të kësaj skeme, pra vetë Lendi Palajt.

Po si u fuqizua ky emër relativisht i panjohur? Raporti tregon se gjithçka filloi gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, kur Palaj ishte i përfshirë në procesin e mbledhjes së votave në zonën e Ali Demit, duke punuar për llogari të PSD-së së Tom Doshit. Aty krijoi lidhje me personazhe kyçe që administronin rrjetin zgjedhor në terren dhe, pas mbylljes së zgjedhjeve, këto njohje i hapën dyert për t’u marrë më pas me lojërat e fatit në mënyrë të strukturuar. Më tej, thuhet se vetë njerëzit pranë Tom Doshit dhe Cim Babasit e mbështetën financiarisht dhe i siguruan një “ombrellë sigurie”, duke i dhënë mundësi Palajt të ngrinte një rrjet të sofistikuar bastesh.

Në formë të organizuar, rrjeti i Palajt numëron 25 deri në 30 lokale të shpërndara në kryeqytet, secili i pajisur me platforma online, VPN të centralizuara dhe mundësi pagese kesh ose kriptovalutë. Në pamje të jashtme duken si kafene krejt të zakonshme, ose të regjistruara si “Tobacco shop/gaming corner”, por realisht aty qarkullojne miliona para bastesh në të zezë. Aktualisht logo apo tabela “baste” s’do të gjeni, por mjafton të njohësh njeriun “e duhur” për t’u kyçur në sistem. Pagesat, tërheqjet dhe shpërndarja e fitimeve koordinohen “nën rrogoz”, me një dorë shumë të kujdesshme menaxheriale.

Sipas raportit, Palaj i financon vetë një pjesë të mirë të lokaleve, siguron platformën online të basteve dhe u jep menaxhimin personave me precedent penal të niveleve më të ulëta; “të fortët” e lagjeve, që janë gati të marrin përsipër gjithë aktivitetin operativ.

Ndërkohë, vetë Palaj ruhet fort nga çdo “aksident” ligjor. Nga njëra anë, ai nuk ka një aktivitet të regjistruar në emrin e tij, dhe nga ana tjetër, përfiton nga lidhjet e ngushta me segmente të caktuara policore dhe politike, që i ofrojnë një “ombrellë sigurie” dukshëm efikase. Rezulton se edhe rrugëtimi i tij i shkurter në trafikimin e narkotikëve (edhe pse pa asnjë dosje penale zyrtare) e bën atë një figurë të njohur në qarqe të caktuara krimi.

Për shumicën e qytetarëve, emri “Lendi Palaj” nuk thotë asgjë. Por për këdo që ka përvojë me botën e nëndheshme të basteve dhe trafiqeve, ky emër lidhet me fuqinë dhe teknologjinë pas kazinove të paligjshme, me mbështetje të heshtur nga segmente politike e kriminale. Me zgjedhjet e 2021-shit si trampolinë, ai duket se ka vënë nën kontroll një biznes multi-milionësh, pa figuruar kurrkund në dokumente zyrtare, pa asnjë shenjë në regjistrat e Policisë.

Sot, pasi mediat vunë theksin tek rrjetet ilegale, nuk shihen më tabelat “333” apo “CR7” nëpër lokale.

Megjithëse aksioni i papritur i BKH-së shënoi një shpresë për zbardhjen e këtyre aferave, deri më tani nuk raportohet për masa konkrete ndaj “kokës” së vërtetë të rrjetit. “Pamfleti” do të vijojë të hedhë dritë mbi këto skema që po gërryejnë ekonominë dhe rrezikojnë rendin publik. Ndërsa drejtësia duhet të vendosë nëse do të reagojë apo do të heshtë përballë këtij emri të përfolur, i cili, sipas raportit, qëndron i patrazuar, ndërkohë që me mijëra njerëz përfundojnë në rrotën e basteve të paligjshme.