FLASH :

Zbulohet shkaku zyrtar i vdekjes së Hulk Hogan

Shkaku zyrtar i vdekjes së ikonës së wrestling-ut Hulk Hogan u bë i ditur këtë të enjte, duke konfirmuar se legjenda 71-vjeçare ndërroi jetë si pasojë e një infarkti akut të miokardit, i njohur ndryshe si atak kardiak, që ndodh kur qarkullimi i gjakut drejt zemrës bllokohet papritur.

Megjithatë, dokumentet e publikuara zbuluan gjithashtu se ylli i WWE po përballej prej kohësh me probleme serioze shëndetësore, të mbajtura larg syrit të publikut. Një raport zyrtar për miratimin e kremacionit, i siguruar nga “Page Six”, konfirmon se Hogan ishte diagnostikuar me leuçemi limfocitare kronike (CLL), një formë e kancerit që prek qelizat e bardha të gjakut. Gjithashtu, ai vuante nga fibrilacioni atrial, një çrregullim i ritmit të zemrës që karakterizohet nga rrahje të shpejta dhe të çrregullta.

Vdekja e Hulk Hogan ndodhi më 24 korrik 2025, në shtetin e Floridës, dhe është klasifikuar si vdekje nga shkaqe natyrore. Një zëdhënës i zyrës së ekzaminuesit mjekësor konfirmoi për mediat se ishte bërë kërkesë për miratim të procesit të kremacionit.

Pak para se të ndërronte jetë, miqtë e tij tregojnë se Hogan ndjente dobësi dhe ndiheshte i turpëruar nga gjendja e tij. Mik i tij i ngushtë dhe producenti i njohur i wrestling-ut, Eric Bischoff, rrëfeu në podcast-in “83 Weeks” se në takimin e tyre të fundit, Hogan ishte i lodhur dhe i zbehtë.

“Mund të dalloja se ishte i dobët, i lodhur. Më tha: ‘Dua shumë të të shoh, por më vjen turp që të më shohësh kështu sepse kam qenë shumë i sëmurë’”, rrëfen Bischoff. “Por edhe në ato kushte, personaliteti i tij vezullonte. Ishte ende po ai njeri, pavarësisht përpjekjes që i duhej për të mbajtur një bisedë.”

Ndërkohë, vajza e tij, Brooke Hogan, postoi më herët këtë javë një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku nderoi kujtimin e të atit dhe foli për marrëdhënien e ndërlikuar që kishin gjatë viteve.

Hulk Hogan mbetet një nga figurat më të dashura dhe më të njohura në historinë e WWE, i dashur nga miliona fansa në mbarë botën jo vetëm për fizikun dhe karrierën, por për karizmën e tij unike në ring dhe jashtë tij.