Një parcelë me 70 bimë të dyshuara si kanabis sativa është zbuluar në një zonë të pyllëzuar në fshatin Shëngjergj, njësi administrative Kaçinar, në Mirditë. Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.
Asgjësim me zjarr në terren të vështirë
Shërbimet e Komisariatit të Mirditës zbuluan parcelën gjatë kontrolleve në terren, si pjesë e operacionit kundër kultivimit të lëndëve narkotike. Bimët u gjetën në një sipërfaqe të pyllëzuar dhe u asgjësuan menjëherë në vendngjarje, përmes djegies me zjarr.
Policia njoftoi se “vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të kultivimit të këtyre bimëve”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Ky rast është një tjetër sinjal alarmi për përpjekjet e rikthimit të kultivimit të kanabisit në zonat e thella malore, ku monitorimi është më i vështirë dhe autorët përpiqen të shmangin vëmendjen e autoriteteve.