Një zbulim i rrallë shkencor është bërë në rezervatin fosil të Qinglongshan në Kinën qendrore, ku studiuesit kanë përcaktuar se një grup prej 28 vezësh dinozaurësh janë rreth 86 milionë vjet të vjetra. Rezultatet erdhën falë një metode të avancuar të njohur si datimi me uranium-plumb (U-Pb), i quajtur ndryshe edhe “ora atomike”.
Shkencëtarët përdorën mikro-lazer për të marrë grimca nga guaskat e fosilizuara të vezëve, të cilat më pas u avulluan dhe u analizuan për të matur raportin mes atomeve të uraniumit dhe plumbit. Kjo teknikë, e cila zakonisht përdoret për mineralet karbonatike, doli të ishte jashtëzakonisht e saktë për përcaktimin e moshës së fosileve.
Sipas studiuesve, këto janë fosilet e para të datuara në mënyrë të besueshme nga Qinglongshan, një sit që përmban mbi 3,000 vezë dinozaurësh të ruajtura në 3D, shumica të specieve Placoolithus tumiaolingensis. Vezët, të cilat kanë gjatësi 12 deri në 17 cm dhe guaskë deri në 2.4 mm, janë relativisht poroze, një veçori që mund të ofrojë të dhëna mbi klimën dhe ekosistemin e periudhës Kretake, kur planeti po përballej me një ftohje graduale.
Ky zbulim u publikua në revistën Frontiers in Earth Science, ndërsa studiuesit theksuan se metoda U-Pb mund të hapë një epokë të re në paleontologji, duke ndihmuar në ndërtimin e një kuadri kronologjik më të saktë për studimin e riprodhimit dhe sjelljes së dinozaurëve.
“Nëse aplikohet gjerësisht, kjo metodë do të na ndihmojë të kuptojmë më mirë origjinën, evolucionin dhe mënyrën se si dinozaurët përshtatën sjelljen riprodhuese ndaj ndryshimeve klimatike,” – tha Bi Zhao, studiues në Institutin e Gjeoshkencave në Wuhan.