FLASH :

Zbulohet misteri i pushimeve të Kate dhe William në Greqi: Ja superjahti luksoz ku qëndruan

Pushimet e Princit William dhe Princeshës Kate në ishullin grek Kefalonia kanë ngjallur shumë kureshtje, pasi për ditë me radhë nuk u arrit të zbulohej në cilin jaht luksoz po qëndronte familja mbretërore. Çifti dhe fëmijët e tyre – George, 12 vjeç, Charlotte, 10 vjeçe, dhe Louis, 7 vjeç – u panë rrallë në breg, pasi pjesën më të madhe të kohës e kaluan në det.

Pas shumë spekulimeve, mediat greke kanë zbuluar se familja mbretërore ka qëndruar në “Lady Beatrice”, një superjaht 60 metra i vlerësuar rreth 20 milionë paund. Fillimisht u përfol se jahti u përkiste miliarderëve të huaj ose se ishte një jaht ekologjik si “Almax”, por më pas doli se i përkiste biznesmenit britanik Peter Dubens, pronar i Oakley Capital dhe aksioner i grupit mediatik Time Out. Jahti dikur ishte në pronësi të vëllezërve Barclay, ish-pronarë të “Telegraph Media Group”.

“Lady Beatrice” është i dekoruar me elementë klasikë, kolona greke, tavane me afreske dhe hapësira luksoze që akomodojnë deri në 16 persona. Familja mbretërore, e shoqëruar edhe nga prindërit e Kate Middleton, qëndroi aty për ditë me radhë, duke shmangur daljet publike për shkak të numrit të madh të turistëve britanikë në zonë. Jahti madje u zhduk për disa orë nga sistemet e ndjekjes detare, për të ruajtur privatësinë e udhëtimit.

Familja u kthye në Mbretëri më 26 korrik, ndërsa Princi William dhe e bija Charlotte fluturuan menjëherë në Zvicër për të ndjekur finalen e Europianit të femrave, ku Anglia triumfoi. Kështu, misteri i pushimeve “sekrete” të çiftit mbretëror më në fund u zgjidh: Kate dhe William kaluan ditët e tyre të verës në një nga jahtet më luksoze të Mesdheut.