FLASH :

ZBULOHET: Jeta frymëzuese e binjakëve McCann që u rritën në hijen e motrës së tyre të zhdukur, Madeleine – ndërsa miqtë tregojnë krenarinë e familjes për arritjet e fëmijëve më të vegjël

Maji është një muaj veçanërisht i dhimbshëm për Kate dhe Gerry McCann. E shtuna e kaluar, më 3 maj, shënoi 18 vjet nga zhdukja e vajzës së tyre Madeleine, e cila u zhduk në errësirë nga krevati i saj në një resort pushimi në Praia da Luz të Portugalisë.

Gati brenda natës, vogëlushja bionde trevjeçare, me buzëqeshjen e saj dhe njollën karakteristike në sytë blu-jeshilë, u bë fëmija më i famshëm i zhdukur në botë.

“Pavarësisht sa afër apo larg është, ajo është këtu me ne çdo ditë”, thanë Kate dhe Gerry në homazhin e tyre të fundit.

Por përvjetori më i vështirë po afrohet: e hëna, 12 maj, është ditëlindja e 22-të e Madeleine. Familja mund vetëm të imagjinojë si do të ishte sot vajza kurioze dhe energjike që kujtojnë.

Vogëlushja e pasionuar pas kukullave dhe fustaneve të princeshave, që adhuronte notin, këngën dhe kërcimin në dhomën e ndenjës, ndoshta sot do të ishte kthyer në një të re të talentuar.

Ajo mund të kishte trashëguar dashurinë për shkencën nga i ati, një kardiolog i njohur, ose dëshirën për të ndihmuar të tjerët nga e ëma, që punon me pacientë me demencë.

Mund të ishte sportive si binjakët Amelie dhe Sean, sot 20 vjeç.

Si çdo i ri tjetër, ndoshta do të kishte përfunduar studimet, gjetur një punë të parë dhe numëronte ditët për pushime me miqtë. Familja jeton ende në të njëjtën shtëpi me tulla të kuqe në Rothley, Leicestershire, ku u vendos që në vitin 2007.

Aty, dhoma rozë e Madeleine-s, me yjet që ndriçojnë në errësirë në tavan, ishte për vite me radhë e mbushur me dhurata të paprekura ditëlindjeje dhe lodra, në pritje që ajo të kthehej.

Këtë maj, mendimet e McCann-ëve janë edhe më të mbingarkuara për shkak të një dokumentari tronditës që zbuloi provat e gjetura nga policia gjermane në pronën e Christian Brueckner – i vetmi i dyshuar për rastin.

Në një fabrikë të braktisur në pronësi të tij, në vitin 2016, u gjetën kostume fëmijësh për not, lodra, një hard disk me materiale të devijuara dhe një valixhe e pistë me fotografi vajzash të reja.

Brueckner, i dënuar për përdhunimin e një gruaje amerikane në Portugali në vitin 2005, punonte si kamarier në Praia da Luz kur Madeleine u zhduk. Në vitin 2022 ai u shpall zyrtarisht i dyshuar nga policia portugeze.

Një vit më vonë, një mik pretendoi se Brueckner e kishte pranuar rrëmbimin duke thënë: “Ajo nuk bërtiti”, gjatë një bisede në një festival muzikor në 2008.

Policia gjermane kërkoi prova në rezervuarin Arade, 50 km nga resorti ku u zhduk Madeleine, por pa sukses. Foto të Brueckner-it lakuriq pranë rezervuarit u gjetën në hard diskun e tij.

Ai mohon çdo përfshirje dhe nuk është akuzuar zyrtarisht; përkundrazi, vitin e kaluar u shpall i pafajshëm për akuza të tjera për përdhunim dhe sulm seksual.

Nëse nuk ka apel apo prova të reja, ai pritet të lirohet nga burgu në shtator.

Familja McCann nuk komentoi mbi zhvillimet e fundit, por një burim familjar tha për Daily Mail se ata janë “në terr informativ” për shkak të hetimit që vijon dhe mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë me policinë gjermane apo portugeze.

“Ne nuk dimë çfarë prove kanë,” tha burimi. “Nëse është ai, por s’ka prova përfundimtare, ndoshta nuk do të flasë kurrë. Mbase, për fat të keq, kurrë nuk do ta dimë çfarë ndodhi me Madeleine. Por shpresojmë të mësojmë. Ende shpresojmë, pas gjithë këtyre viteve.”

Familja është përballur me gjithçka për gati dy dekada – jo vetëm me zhdukjen, por edhe hetimet, teoritë konspirative, sulmet nga mediat dhe letrat, që variojnë nga ngushëllime deri te urrejtje, e që ende mbërrijnë në shtëpi.

Operacioni “Grange” i Metropolitan Police ka marrë mbi 13.2 milionë paund fonde nga Home Office, përfshirë 108,000 këtë vit. Megjithë këtë, nuk ka patur asnjë arrest apo akuzë zyrtare për 18 vjet.

Në vitin 2007, kur u zbulua se kishin përdorur fonde nga fushata “Find Madeleine” për të paguar hipotekën mujore, pati sulme të dhimbshme ndaj tyre. Të dy kishin marrë leje pa pagesë nga puna për të ndjekur kërkimet për vajzën.

Këtë vit janë përballur sërish me dhimbje: dy gra u akuzuan për përndjekje, mes tyre Julia Wandel, 23 vjeç, e cila pretendoi në 2023 se ishte Madeleine. Testi i ADN-së e hodhi poshtë këtë pretendim.

Gjithashtu, Karen Spragg, 60 vjeç, nga Cardiff, akuzohet për përndjekje të rëndë ndaj familjes McCann midis majit 2024 dhe shkurtit 2025. Të dyja janë deklaruar të pafajshme dhe gjyqi pritet të nisë në tetor.

Ndërkohë, binjakët Sean dhe Amelie kanë qenë jashtë vëmendjes publike për shumë vite. Edhe pse nuk e kujtojnë motrën, ajo ka qenë gjithmonë pjesë e jetës së tyre si mungesë e thellë.

Në shtëpi, dhoma e Madeleine-s mbeti e paprekur për më shumë se një dekadë. Në shkollën e mesme katolike që ndoqën, një vend ishte gjithmonë rezervuar për të.

Sot, Sean dhe Amelie janë studentë universitarë. Amelie, në vitin e dytë të studimeve në veri të Anglisë, është e hapur dhe popullore, ndërsa Sean, një notar kampion, është në rrugë për të përfaqësuar Skocinë në Lojërat e Commonwealth 2026 dhe Britaninë në Lojërat Olimpike 2028.

Në një rrëfim të kohëve të fundit, ai shkruan për përkushtimin që kërkoi noti: “Që në moshën 10-vjeçare u zgjodha për të notuar për City of Leicester dhe kam fituar tituj në nivel qarku, rajonal dhe kombëtar.”

Ai studion inxhinieri kimike dhe stërvitet 20 orë në javë. Vitin e kaluar fitoi medalje ari dhe bronzi në një garë ndërkombëtare në Spanjë.

Ndërkohë, Kate është rikthyer në sektorin e kujdesit shëndetësor dhe punon me pacientë me demencë. Ajo është ambasadore e organizatës “Missing People” dhe ndjek kurse pilatesi dhe spinning tre herë në javë. Gerry punon si profesor në Universitetin e Leicesterit dhe në mars fitoi një grant prej 80,000 paundësh për kërkime në sëmundjet e zemrës.

Edhe pse postera e Madeleine-s janë zhdukur nga dritaret e dyqaneve, komuniteti në Rothley nuk e ka harruar. Në memorialin e luftës, digjet ende një qiri në emrin e saj. Fqinjët mbajnë ngjitëse me mesazhin “Ende e zhdukur, ende e munguar”.

Në përvjetorin e fundit, Kate dhe Gerry ishin të pranishëm me djalin Sean, ndërsa ajo lexoi një poezi nga Helen Steiner Rice: “Asgjë në jetë nuk mund të më mposhtë.”

Në faqen e tyre zyrtare, nën foton e njohur të Madeleine-s, është pyetja: “Pse vazhdojmë?”

Përgjigjja prekëse e tyre:
“Madeleine është ende e zhdukur dhe dikush duhet të jetë duke e kërkuar.”