Një grua 72-vjeçare po hetohet në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës, pasi në pikën e këmbimit valutor që kishte në pronësi u zbulua një skemë e mirëorganizuar e dhënies së parave me fajde. Sipas hetimeve, persona të ndryshëm depozitonin në këtë pikë shuma të padeklaruara, të cilat më pas jepeshin me interes të lartë qytetarëve në nevojë, jashtë çdo kuadri ligjor bankar.
Policia njoftoi se ka sekuestruar një shumë prej 500 mijë eurosh që dyshohet të jetë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të përfshirë në rrjetin informal të fajdeve, që vepronte përmes pikës së këmbimit valutor në Tiranë.







