FLASH :

Zbulohet emri më i përhapur për foshnjat në Angli dhe Uells – “Muhammad” mban vendin e parë për të dytin vit radhazi

Emri Muhammad është shpallur emri më i përhapur për djemtë në Angli dhe Uells për vitin 2024, duke regjistruar një rritje prej 23% krahasuar me vitin e kaluar dhe duke mbajtur vendin e parë për të dytin vit radhazi, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS).

Plot 5,721 djem u regjistruan me këtë emër në formën specifike të shkruar “Muhammad”, duke lënë pas emrat Noah (4,139), Oliver, Arthur dhe Leo.

Në listën e vajzave, Olivia vazhdon të kryesojë, e ndjekur nga Amelia, Lily, Isla dhe Ivy.

Analiza e përvitshme e ONS tregon jo vetëm tendencat e emrave më të njohur, por edhe ndryshimet kulturore dhe demografike që pasqyrohen në zgjedhjet e prindërve. Sipas Daily Mail, kur mblidhen të gjitha mbi 30 mënyrat e ndryshme të shkruarjes së emrit “Muhammad”, ky emër ka qenë më i përdoruri në Angli për më shumë se një dekadë.

Emrat e vajzave që kanë fituar popullaritet gjatë dekadës së fundit përfshijnë Ivy, Maeve, Margot dhe Bonnie, ndërsa për djemtë Arlo është ndër emrat që ka njohur rritje më të shpejtë, duke zënë tani vendin e 15-të në renditje.

Emri Muhammad, që do të thotë “i lavdëruar” ose “i denjë për t’u vlerësuar”, ka origjinën nga fjala arabe “hamad” që nënkupton “të lavdërosh”. Ky emër është ai i Profetit të Islamit, themeluesit të fesë myslimane, dhe përdorimi i tij është përhapur gjerësisht në botën myslimane dhe tashmë po dominon edhe listat britanike të emrave më të përdorur.