“A ku është hoteli?” – Këto janë fjalët e para që, sipas punonjësve, shumica e emigrantëve që zbresin në Britani me anije i drejtojnë autoriteteve sapo mbërrijnë në qendrën e pritjes Manston në Kent. Aty përpunohen emigrantët që hyjnë ilegalisht në vend, kryesisht me varka të drejtuara nga trafikantët. Por ajo që ndodh më tej brenda këtij kampi është po aq alarmante sa edhe skandaloze.

Për herë të parë, punonjës të brendshëm të Manston kanë folur për Daily Mail, duke hedhur dritë mbi situatën e rëndë që përjetojnë çdo ditë: mungesë kontrollesh efektive, emigrantë që mashtrojnë për moshën, emrin dhe vendin e origjinës, e deri te të kaluar kriminale që mbeten të fshehura. “Ata flakin dokumentet në Francë ose gjatë udhëtimit me varkë dhe ne detyrohemi t’i besojmë asaj që na thonë, edhe kur është qartazi një histori e stisur”, thotë një punonjës.


Emigrantët, kryesisht burra të rinj, vijnë me pretendime standarde si arratisje nga talebanët apo ndjekje për orientimin seksual në vendet e tyre. Shumë prej tyre përdorin të njëjtën datë lindjeje – 1 janar. “Britania po mashtrohet”, thotë një tjetër punonjës. “Ne nuk kemi më qasje në të dhënat e BE-së për të verifikuar gishtërinjtë apo historikun kriminal që mund të kenë pasur.”

Brenda Manston-it, punonjësit urdhërohen të mos ndajnë asnjë informacion personal me “rezidentët” – siç u kërkohet t’i quajnë emigrantët – nga frika se mund të përndiqen pasi këta njerëz lirohen dhe shpërndahen në hotele ose shtëpi të marra me qira në të gjithë Britaninë. Në kushte të tilla, ata që vlerësohen si “asnjë rrezik për stafin” lihen të lirë të jetojnë pranë komuniteteve pa verifikime të thelluara.


Brenda 72 orëve nga mbërritja, emigrantët zhvendosen me autobusë me xhama të zinj në hotele e shtëpi në të gjithë vendin. Sipas informatorëve, kushtet janë të vështira: fëmijë të dehidratuar që i rrëshqasin nënave nga krahu, të rinj me sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe familje të tëra që pretendojnë se janë refugjatë – ndonëse kërkojnë “jetë më të mirë”.
Prej hapjes në vitin 2022, kampi i Manston është përmendur shpesh në raportet për lidhje të emigracionit me krimin. Dhe lidhjet nuk janë thjesht spekulim: sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, një në pesë të dënuar për abuzim seksual me fëmijë në Britani është shtetas i huaj. Vetëm këtë javë, një azilkërkues afgan u dënua me 9 vite burg për përdhunimin e një 15-vjeçareje në Falkirk, Skoci, pak pasi mbërriti ilegalisht.

Një tjetër rast tronditës përfshin Rasuili Zubaidullah, një azilkërkues afgan që përdhunoi dhe vrau një vajzë 13-vjeçare në Austri, pastaj u arratis në Britani nën një emër të rremë. Vetëm pas ndihmës së policisë austriake u arrestua dhe deportua për t’u gjykuar.
Në kampin Manston, stafi thotë se ndihen të dëshpëruar dhe të rrezikuar. “Na kërkohet të heshtim, por nuk mundemi më,” shprehet një prej tyre. “Ne e dimë që disa nga këta njerëz janë të rrezikshëm. E dimë që hoteli ku i dërgojmë fsheh grabitqarë seksualë. Dhe ne e dimë që disa janë kriminelë të arratisur që fshihen mes turmës.”
Kjo realitet i zymtë ngre pyetje të rënda mbi politikat e emigracionit dhe sistemin e azilit në Mbretërinë e Bashkuar – dhe për shumë qytetarë britanikë, përgjigjja është më e rëndësishme se kurrë.