Një libër i ri bombastik hedh dritë mbi të vërtetën makabre të vdekjes së Adolf Hitlerit – dhe zbulimet janë edhe më të tmerrshme sesa legjendat dhe teoritë konspirative që kanë qarkulluar për dekada.
Profesori i njohur gjerman i mjekësisë ligjore, Klaus Püschel, ka zbuluar detaje të reja duke u bazuar në skeda sekrete të autopsisë sovjetike, arkiva të KGB-së dhe fotografi të papublikuara më parë të kafkës së Hitlerit.
Në librin e tij të ri të titulluar “Der Tod geht über Leichen” (“Vdekja Ecën Mbi Kufoma”), shkruar bashkë me gazetaren Bettina Mittelacher, Prof. Püschel konfirmon se Hitleri helmoi veten me cianid dhe, sekonda më vonë, qëlloi veten në tëmth me një armë tip Walther PPK, teksa Rajhu i Tretë po shembej mes flakëve.
“Nuk ka më asnjë dyshim. Hitleri kafshoi kapsulën e cianidit dhe menjëherë pas saj qëlloi veten në kokë,” tha Püschel, ish-drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Hamburg, i cili ka kaluar vite duke hulumtuar dokumentet e fshehura pas Perdes së Hekurt.
Fundi Tragjik në Bunker
Raportet forensike sovjetike përshkruajnë një erë bajameje të hidhur – shenjë klasike e helmimit me cianid – si dhe copëza xhami në gojën e Hitlerit, nga kapsula e thyer. Por ai nuk u ndal me kaq: për të siguruar vdekjen, Hitleri përdori edhe armën e zjarrit, duke qëlluar në tëmthin e djathtë.
Sipas Püschel, pas gëlltitjes së helmimit, Hitleri kishte rreth dy minuta kohë për të vepruar – të cilat i shfrytëzoi për të kryer vetëvrasjen me armë.
Pas aktit fatal, trupi i tij u tërhoq nga anëtarët e ngushtë të rrethit të tij drejt kopshtit të Kancelarisë së Rajhut në Berlin, ku u spërkat me benzinë dhe u përpoq të digjej. Megjithatë, përpjekja për djegien e plotë të trupit rezultoi e dështuar: vetëm pjesërisht u dogj.
Në një përpjekje për manipulim, radioja gjermane shpalli mëngjesin pasues se Hitleri kishte “rënë në betejë” – kur në fakt trupi i tij ishte një kufomë e djegur dhe me nofull të shkatërruar.
Zbulimi për “Një Testikul”
Autopsia e kryer nga trupat sovjetike më 7-9 maj 1945, e mbajtur e fshehtë për dekada, dha provën përfundimtare: të dhënat dentare përputheshin saktësisht me kafkën e djegur të Hitlerit.
Por dokumentet zbuluan edhe një tjetër të vërtetë groteske: Hitleri kishte vetëm një testikul.
“Testikuli i majtë mungonte – nuk ishte as në skrotum, as në zonën inguinale, asgjëkundi,” theksoi Prof. Püschel.
Kjo rikonfirmoi një nga talljet më të njohura popullore dhe këngët për Hitlerin ndër dekada.
Fshirja përfundimtare nga historia
Ato që ndodhën më pas ishin po aq makabre: KGB-ja ruajti mbetjet për vite në Gjermaninë Lindore komuniste, para se të merrte urdhra të drejtpërdrejtë nga kreu i KGB-së, Yuri Andropov, dhe udhëheqësi sovjetik Leonid Brezhnev për të zhdukur çdo gjurmë.
Më 5 prill 1970, eshtrat e fundit të Hitlerit u dogjën në fshehtësi të plotë dhe hiri i tyre u hodh në një përrua në qytetin Magdeburg, duke e zhdukur përfundimisht nga harta një nga figurat më të errëta të historisë njerëzore.