FLASH :

Zbulohet e vërteta për varrin e famshëm në Vergina: Nuk i përket Filipit II, babait të Aleksandrit të Madh

Një studim i ri shkencor hedh dyshime mbi varrin historik në Vergina të Greqisë, që për dekada mendohej si vendi i prehjes së fundit të Filipit II, babait të Aleksandrit të Madh.

Në numrin e korrikut 2025 të Journal of Archaeological Science, studiuesit paraqesin të dhëna të reja nga analiza me radiokarbon, sipas të cilave eshtrat në “Varrin I” i përkasin një burri më të ri, një gruaje dhe gjashtë foshnjave. Burri i varrosur ka qenë midis 25 dhe 35 vjeç dhe ka vdekur ndërmjet viteve 388 dhe 356 para Krishtit, ndërkohë që Filipi II u vra në vitin 336 para Krishtit në moshën rreth 46 vjeç.

Studimi tregon se gruaja e varrosur bashkë me të ishte shumë e re, rreth 18-25 vjeçe, ndërsa analizat izotopike tregojnë se burri kishte kaluar fëmijërinë larg kryeqytetit maqedonas, Pelës. Kjo sugjeron mundësinë që ai të jetë një mbret i hershëm maqedonas, si Aleksandri II apo Perdika III, ndërsa gruaja ka jetuar afër Pelës.

Sipas ekspertëve, pasuria e varrit tregon për një prejardhje të lartë shoqërore, megjithëse identiteti i saktë mbetet i panjohur.

Gjithashtu, në varrin e zbuluar u gjetën gjashtë foshnja, të varrosura më vonë, gjatë periudhës romake (150 para Krishtit deri 130 pas Krishtit), një praktikë e zakonshme romake që përfshinte vendosjen e foshnjave të vdekura në varre të vjetra.

Yannis Maniatis, kërkuesi kryesor i studimit nga Qendra Kombëtare për Kërkime Shkencore “Demokritos”, thekson se ky zbulim nuk e përjashton mundësinë që eshtrat e Filipit II të jenë në Varrin II, i cili nuk është përfshirë në këtë studim dhe që mban eshtrat e një burri rreth 44 vjeç.

Antonis Bartsiokas, mbështetës i tezës se Filipi II është varrosur në Varrin I, nuk dha komente, duke paralajmëruar se do të reagojë në një artikull shkencor të ardhshëm.