FLASH :

Zbulohet “dhoma e trajtimit” makabre: Policia zbulon në Hollandë kontejnerin e izoluar me karrige dentisti për tortura

Një operacion i madh ndërkombëtar i koduar EncroChat ka çuar në zbulimin e një torture të pabesueshme të ndërtuar nga një bandë droge pranë fshatit Wouwse Plantage në Hollandë. Brenda një kontejneri të izoluar me material zanor, policia gjeti një karrige dentisti me rripa lëkure për të lidhur viktimat, pranga, pincë, bisturi, gërshërë hekuri dhe madje edhe prerëse shkurresh – të gjitha të përgatitura për tortura.

Hetimet nisën pas mesazheve të përgjuara në EncroChat, platforma e enkriptuar e përdorur nga kriminelë të nivelit të lartë, ku gangsterrët flisnin hapur për “dhomën e trajtimit” dhe nevojën për “pinca për gishtat e duarve dhe këmbëve”. Përveç kontejnerit të torturës, policia zbuloi edhe gjashtë kontejnerë të tjerë të kthyer në qeli, të mbështjella me fletë alumini për të shmangur zbulimin nga kamerat termike. Fatmirësisht, dhomat nuk u përdorën kurrë.

Operacioni i udhëhequr nga policia franceze dhe holandeze në vitin 2020 çoi në qindra arrestime në të gjithë Europën, përfshirë edhe bossë të fuqishëm britanikë si Jamie Rothwell, i dënuar me 43 vite burg, dhe James Harding, i cili drejtonte një perandori prej 100 milionë paundësh kokainë nga Dubai. Po ashtu, gangsterë të njohur si Vincent Coggins dhe Jamie “Iceman” Stevenson ranë në pranga, duke i dhënë fund një prej perandorive më të dhunshme të krimit të organizuar.

EncroChat u konsiderua “shpëtimi i artë” i policisë europiane, pasi mesazhet e zbuluara në kohë reale ekspozuan plane për atentate, trafik armësh e droge dhe tortura makabre – një botë e errët që deri atëherë ishte e paarritshme për organet e rendit.