FLASH :

Zbulohet: Bujaria e Winston Churchill ndaj burrit që martoi dashurinë e tij të parë

Një letër e rrallë dhe e jashtëzakonshme, që dëshmon fisnikërinë e karakterit të Winston Churchill ndaj burrit që martoi dashurinë e tij të parë, Pamela Plowden, ka dalë në dritë pas 124 vitesh.

Në vend që të ushqente mllef ndaj Victor Bulwer-Lytton, i cili fitoi zemrën e Plowden, Churchill tregoi madhështi morale duke e ndihmuar atë të hynte në politikë. Në një letër të datës 17 korrik 1901, Churchill – tashmë deputet i ri konservator për Oldham – i shkruan Lytton se do përdorte lidhjet e tij për ta ndihmuar dhe e ftonte në Parlament për të diskutuar më tej aspiratat politike.

Lytton, i cili më pas u bë Guvernator i Bengalit dhe Zëvendës-Viceroy i Indisë, u martua me Plowden në prill 1902, dy vite pasi ajo refuzoi propozimin për martesë të Churchill-it. Letra tregon që Churchill i kishte folur edhe politikanit George Wyndham për ambiciet e Lytton, duke përmendur edhe mirënjohjen që ky i fundit kishte për babanë e tij.

Letra, e cila është e shkruar me dorë dhe e shënuar si “Private”, është vënë në shitje për 4,200 paund (rreth 5,000 euro) nga International Autograph Auctions Europe në Malaga, Spanjë. Sipas specialistit të ankandit, Richard Davie, letra është provë e aftësive të hershme të Churchill për të manovruar politikisht, por edhe e maturisë së tij emocionale.

Churchill kishte njohur Pamela Plowden në vitin 1896 në Indi dhe kishte mbetur thellësisht i mahnitur prej saj. Edhe pas refuzimit të saj, ata mbetën miq të ngushtë për gjithë jetën. Ai u martua më vonë me Clementine Hozier në vitin 1908, me të cilën ndau një jetë të gjatë bashkëshortore.

Në një letër drejtuar Pamelës për të lajmëruar fejesën e tij, Churchill shkruante me zemër të hapur: “Po martohem me Clementine dhe të them ty atë që më the ti kur u martove me Victor – ti duhet të jesh gjithmonë mikja jonë më e mirë.” Ata vazhduan të shkëmbenin letra të përzemërta deri në vdekjen e tij në vitin 1965. Pamela Plowden ndërroi jetë në 1971.

Letra e Churchill, e cila do të shitet më 17 qershor, është një dëshmi e rrallë jo vetëm e fuqisë së karakterit të tij, por edhe e ndjeshmërisë që e shoqëroi gjatë gjithë jetës – një shembull i rrallë i bujarisë emocionale në politikën britanike të fillim shekullit XX.