Alexander Zverev ka zbuluar një anë të papritur të vetes pas humbjes shokuese në raundin e parë të Wimbledon, ku u mund në pesë sete nga francezi Arthur Rinderknech. Por përveç rezultateve në fushë, ajo që tërhoqi vëmendjen e mediave ishte mungesa e të dashurës së tij, Sophia Thomalla, në tribunat e turneut.

Sipas BILD, Thomalla – prezantuese televizive dhe influencuese – nuk ishte në Londër sepse ndodhej në Gjermani duke xhiruar reklama. Ajo e kishte shoqëruar Zverev më parë në turneun përgatitor në Halle, por mungoi në Grand Slam-in e tretë të vitit, pikërisht në një periudhë ku Zverev ndjeu më shumë se kurrë mungesën e mbështetjes emocionale.

Pas ndeshjes, Zverev u rrëfye me sinqeritet për gjendjen e tij psikologjike:
“Më duket sikur jam vetëm, jo vetëm në fushë, por edhe në jetë. Jam përpjekur të dal nga kjo gropë, por vazhdoj të bie sërish në të.”
Zverev, i cili në janar luajti finalen e Australian Open ndaj Jannik Sinner, tha se prej asaj kohe ka ndjerë një boshllëk që nuk e ka përjetuar kurrë më parë, dhe madje pranoi se mund të ketë nevojë për ndihmë psikologjike profesionale për herë të parë në jetën e tij.

Në këtë sfond emocional, këshillat e ish-kampionit Boris Becker pas eliminimit të Zverev nga Roland Garros muajin e kaluar marrin më shumë kuptim. Becker e kishte këshilluar publikisht që të largohej përkohësisht nga tenisi për t’u fokusuar te familja, veçanërisht te vajza e tij dhe partnerja Sophia Thomalla, përndryshe, sipas fjalëve të tij, “do të digjet” emocionalisht.
Por përtej aspektit sportiv dhe psikologjik, Zverev vijon të përballet edhe me pasojat publike të akuzave për dhunë në familje. Gjatë ceremonisë së trofeut në Australian Open, një protestuese bërtiti: “Australia beson Olya-n dhe Brenda-n”, duke iu referuar dy ish-partnerëve të tij që e kishin akuzuar për abuzim. Edhe pse Zverev nuk u dënua, dhe një gjykatë gjermane vendosi ta mbyllë një prej rasteve në maj 2023 me marrëveshje, hijet e së shkuarës vazhdojnë ta ndjekin.

Ai reagoi ndaj protestueses duke thënë:
“Nuk ka më akuza. Dhe nëse ajo ishte e vetmja që besonte në atë çast, atëherë mirë për të. Unë nuk do ta hap më atë temë.”
Në një moment ku ai synon të arrijë lartësitë sportive, Zverev përballet me një barrë të rëndë emocionale. Ndërsa deklaron se “edhe kur fiton nuk ndjen më gëzim”, rrëfimi i tij sjell në vëmendje për herë të parë publikisht boshllëkun personal të një prej sportistëve më të talentuar të brezit të tij, në një moment që mund të jetë kthesë për karrierën — ose rënien e saj.