FLASH :

Zbardhet në kohë rekord plagosja në Durrës – arrestohet autori, sekuestrohen pajisje për kriptomonedha dhe lidhje e paligjshme energjie

Policia e Durrësit ka zbardhur në kohë rekord plagosjen e rëndë me thikë të një 21-vjeçari, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr. 13, në afërsi të zonës së njohur si “Baza e Hekurudhave”.

Në kuadër të operacionit të koduar “Baza”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin Ergys Pjeçi, 38 vjeç, i dyshuar si autor i plagosjes së shtetasit L. I., 21 vjeç, banues në Durrës. Viktima u paraqit në Spitalin Rajonal të qytetit me plagë të rënda të shkaktuara nga mjet prerës.

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, policia sekuestroi thikën me të cilën dyshohet se është kryer krimi, si dhe pajisje të dyshuara për prodhimin e kriptomonedhave. Po ashtu, u konstatua edhe një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, që përdorej për furnizimin e këtyre pajisjeve.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe ata të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Durrësit po vijojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë e paligjshme të 38-vjeçarit.

Ergys Pjeçi akuzohet për një sërë veprash penale, përfshirë:

  • “Plagosja e rëndë me dashje”,
  • “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”,
  • “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare”,
  • “Fshehja e të ardhurave”
  • “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.