Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore për vrasjen tronditëse të një 14-vjeçari në fshatin Pirg të Maliqit. Burime nga hetimet bëjnë me dije se autori i krimit kishte shfaqur sjellje kërcënuese disa ditë para ngjarjes, duke shkuar me automjet në fshatin Zvirinë dhe duke xhiruar gomat para lokalit të xhaxhait të viktimës.
Në ditën fatale, 14-vjeçari kishte shkuar bashkë me një shok në fshatin Pirg për t’u qethur, pranë lokalit ku më vonë do ndodhte ngjarja e rëndë. Kur kanë parë autorin të kalonte me makinë, i kanë fishkëllyer për ta ndalur dhe për t’u sqaruar. Mes tyre ka nisur një debat, pas të cilit autori ka dalë nga makina, ka nxjerrë një thikë dhe ka kërcënuar të miturin. Ky i fundit, në përpjekje për vetëmbrojtje, ka marrë një karrige nga oborri i lokalit dhe e ka vendosur përpara trupit. Teksa lëvizte mbrapsht, është penguar dhe në atë moment autori e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale.
Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë së lokalit dhe po shërben si provë kyçe për zbardhjen e plotë të krimit.







