FLASH :

“Xhinse, Gjenetika dhe Gjaknxehtësia Amerikane”: Si një reklamë me Sydney Sweeney ndezi luftën kulturore të verës në SHBA

Një reklamë e thjeshtë për xhinse ka përshkallëzuar përplasjen më të ashpër ideologjike të kësaj vere në SHBA, duke e kthyer “debatin e madh amerikan” në një sherr brutal në një lokal virtual, ku përplasen raca, politika, seksi dhe vetë natyra e famës.

Në qendër të stuhisë: aktorja e njohur Sydney Sweeney dhe një reklamë për markën American Eagle, ku ajo shfaqet në një version provokues të të ashtuquajturit “kostumi kanadez” – xhins nga koka te këmbët – dhe lëshon lojëra fjalësh të dykuptimta mbi “gjenet” dhe “xhinset”.

“Gjenet transmetohen nga prindërit te pasardhësit,” thotë ajo në një video. Në një tjetër, teksa kamera afrohet në mënyrë të theksuar në gjoksin e saj, ajo deklaron: “Përbërja e trupit tim përcaktohet nga gjenet e mia.”

Kaq mjaftoi që rrjetet sociale të shpërthenin. Shumë e panë reklamën si një kod të mbuluar për idealet e racës së bardhë, duke i kujtuar publikut se vetëm pak muaj më parë, Donald Trump fliste për “gjenet e këqija” të emigrantëve. Të tjerë e konsideruan sulmin si shembull klasik të “cancel culture” që ka dalë jashtë kontrollit. Madje, edhe Zëvendëspresidenti JD Vance nuk e la pa koment: “Të quash nazistë njerëzit që thjesht mendojnë se Sydney Sweeney është e bukur? Kjo është marrëzi.”

Ekspertë të marketingut, sociologë dhe historianë mode po ashtu u futën në vorbull. Disa e quajtën një përpjekje të qëllimshme për të tërhequr klientelën e djathtë me humor të lehtë, borderline racist. Të tjerë thjesht e etiketuan si “shkrim të keq dhe të përtuar”.

“Ka mënyra pafund për të shitur xhinse pa përmendur fare gjenet,” deklaroi antropologia Shalini Shankar. Ndërkohë, të dhënat tregtare zbuluan një rritje të përkohshme të aksioneve të American Eagle me 2 dollarë për aksion… por kjo ndoshta është e vetmja fitore në këtë zjarr kulturor që ende s’është shuar.

Në fund, kompania publikoi një deklaratë neutrale që u duk se nuk kënaqte askënd: “Xhinset e mira duken mirë tek të gjithë.” Por në një Amerikë ku gjithçka analizohet nën lupën e ndasive politike, as xhinset nuk janë më thjesht veshje. Ato janë deklaratë. Dhe këtë herë, duket se kanë ngjallur më shumë zjarr sesa stil.