Xheneta Fetahu ka reaguar publikisht pas pamjeve dhe videove që u shpërndanë në rrjetet sociale nga ceremonia mortore e Eldion Kelmendit, vëllait të Gjestit.
Përmes një postimi të gjatë në Instagram, ajo ka shprehur dhimbjen e saj, duke apeluar për më shumë respekt ndaj privatësisë së familjes Kelmendi.
“Është shumë e dhimbshme kur momente të tilla të rënda, si varrimi i vëllaut të Gjestit, kthehen në skena filmimesh e postimesh në rrjete sociale. Ju lutem, tregoni pak mëshirë dhe respekt për dhimbjen e familjes së tij. Ata e kanë humbur më të dashurin e tyre, dhe çdo video apo foto e shpërndarë ua rëndon plagën edhe më shumë”, tha Xheneta.
Më tutje ajo vazhdoi: “Në emër të gjithë atyre që e ndjenë këtë humbje, dua të falënderoj familjen e Gjestit për mikpritjen dhe përzemërsinë që treguan në këto ditë kaq të rënda. Apeli im është i qartë: mos i ndani videot dhe fotot nga varrimi”.
“Lëreni dhimbjen të mbetet aty ku është, brenda atyre që po e përjetojnë, jo në duart e rrjeteve sociale. Allahu ua shoftë gajretin familjes, ua lehtësoftë dhimbjen dhe ua shpërbleftë durimin. Kësaj here, ju kërkoj të tregoni pak njerëzi. Nuk po ju lypim gjë tjetër, veçse respekt për ata që po vuajnë”, përfundoi ajo.
Rasti tragjik i aksidentit ku humbi jetën Eldion Kelmendi ka prekur të gjithë opinionin publik, duke sjellë jo vetëm dhimbje të madhe për familjen dhe të afërmit, por edhe reflektim për shoqërinë.