Ndërsa trupi i 29-vjeçarit Ardit Beshiri qëndron prej më shumë se 48 orësh i vdekur nën rrënojat e një galerie kromi në Klos, dy figurat kryesore të politikës shqiptare vijojnë fushatën si spektakël.
Sali Berisha u shfaq me helmetë në një shfaqje mediatike që kujton më shumë propagandën sesa kujdesin për minatorët – ndërkohë që vetë Berisha ishte i pari që shkatërroi minierën e Bulqizës dhe privatizoi në mënyrë abuzive pasuritë nëntokësore pa ofruar as siguri, as dinjitet për minatorët.
Nga ana tjetër, Edi Rama zgjodhi të shkojë me Noizy-n dhe Lamborghini-n për fushatë elektorale, duke e kthyer dhimbjen kolektive në sfond për spektakël luksi dhe indiferencë.
Në Klos, një xhenazë pret nën dhe, ndërsa në Tiranë liderët politikë bëjnë shoë me kostume pune, reperë dhe makina luksoze, pa marrë asnjë përgjegjësi për mungesën e kushteve bazike në galeritë që çdo vit marrin jetë njerëzish.
Asnjë përmirësim i kushteve të punës, asnjë rritje page, asnjë dinjitet për minatorët, dhe pensionet e tyre mbeten në kufijtë e varfërisë ekstreme. Vetëm në dy vitet e fundit janë regjistruar 64 viktima nga aksidentet në punë – shumica në miniera dhe kantiere ndërtimi.
Ndërkohë Qendresa Qytetare ka reaguar për këtë cështje duke thënë se:
Trupi i 29 vjeçarit prej 48 orësh nën rrënojat e kromit në Klos, instancat heshtin. Në 2 vite 64 të vdekur nga aksidentet në punë!
Kur kanë kaluar më shumë se 48 orë nga vdekja tragjike e 29 vjeçarit Ardit Beshiri në një galeri në krom të Matit trupi nuk është gjetur ende.
Apeli i familjes për ndërhyrje të institucioneve të specializuara deri tani ka rënë në vesh të shurdhër, pasi grupet e kërkim shpëtimit pranë Emergjencave Civile mesa duket janë të angazhuara në fushatë, ndërsa Inspektoriati Shtetëror i Punës është në drejtim të paditur.
I bëjmë apel instancave shtetërore ti përgjigjen thirrjes së familjes Beshiri për ndihmë se vetmja gjë që po kërkojnë është trupi i të birit dhe kjo mungesë përgjegjësie është e papranueshme.
Inkurajojmë Prokurorinë e Dibrës të zbardhë rrethanat e plota të këtij aksidenti të rëndë në vendin e punës dhe përgjegjësit të dalin para ligjit.
Në 2 vitet e fundit janë 64 viktima nga aksidentet në punës, kryesisht në miniera dhe kantiere ndërtimi.







