FLASH :

“Xhelati” politik Rama, ndërron kokat por jo idetë

Nga Maksi Çami


Edi Rama është ndër tre politikanët me qëndrimin më të gjatë në pushtet në botë. Një fakt që do të duhej të bënte krenar një lider vizionar, por që në realitet ekspozon një sistem të ngrirë në një njeri të vetëm. Mjafton të shohim listat për deputetë që ai ka kandiduar nga 2009 deri mësot.
Që prej fillimeve të tij në Partinë Socialiste, Rama ka ndërtuar me kujdes një regjim të kontrollit total. Fillimisht, i spastroi “të vjetrit” e epokës Nano, duke i margjinalizuar në mënyrë sistematike. Më pas, përmes joshjes dhe blerjes së figurave si Ben Blushi. Rama ka ndërtuar një klasë të re politike: deputetë të rinj, ministra që s’kanë asnjë përvojë ekzekutive, por që kanë një aftësi të jashtëzakonshme të puthin dorën që i solli në pushtet. Në 12 vite sa e sa here kemi pare ministra që të djeshmen ishin askushi?


Jurgen Habermas, një nga figurat më të respektuara të së majtës europiane, thoshte se demokracia e shëndetshme nuk matet me qarkullimin e elitave, por me qarkullimin e ideve. Rama ka bërë pikërisht të kundërtën: ai qarkullon marioneta, jo mendimtarë, ideatorë e vizionarë. Opozita brenda vetë Partisë Socialiste është eliminuar pa mëshirë: më të guximshmit janë poshtëruar, më të dobëtit janë blerë, dhe të tjerët janë zëvendësuar me fytyra të reja të cilat i detyrohen gjithçka atij KM-së.


Kjo nuk është qeverisje. Kjo është një ishull, ashtu si ai i përshkruar në Lord of the Flies, ku lideri me komplekse perëndie sundon mbi një turmë të verbër. Ata që nuk binden, ekzekutohen politikisht. Ata që shërbejnë, ngrihen deri kur t’i flake ai, zotëria i tyre. Kjo është arsyeja pse Rama ndryshon gjithçka, përveç vetes. Sepse ai është sistemi. Dhe në një sistem të tillë, ndryshimi nuk është shenjë përparimi, por maskim i kalbëzimit të pushtetit që rri pezull mbi një komb pa alternativë.


Në fund, nuk kemi një qeveri, kemi një oborr. Nuk kemi debat, kemi nënshtrim. Nuk kemi politikë, kemi devotshmëri ndaj një njeriu. Dhe Shqipëria, për të cilën dikur ëndërronim të ishte si gjithë Europa, sot ngjan më shumë me një mbretëri tropikale, ku mbreti nuk lëviz kurrë thjesht ndërrohen ushtarët që i bëjnë hije.