Një incident është shënuar në mbyllje të takimit elektoral të Partisë Demokratike në Ostren, teksa raportohet se drejtuesi politik i Dibrës Xhelal Mziu dhe nipi i tij, kanë dhunuar një 33-vjeçar.
Policia bën me dije se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për Xhelal Mziun, 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë.
Sipas policisë rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin Kalosh Murra, 33 vjeç, punonjës i njësisë administrative Ostren, banues në Shupenzë.
Kalosh Murra, përgjegjës i ndihmës ekonomike në Ostren është shprehur për median: “Kam qenë para punës time (njësisë administrative). Xhelal Mziu bashkë me të tjerë dolën nga lokali, kaluan para zyrave dhe më pas u kthyen mbrapsht. Më kapi direkt për fyti, ndërsa nipi i tij më godoti me grushte. Më gjakosi! Më kanë çuar në spital dhe më kanë qepur në fytyrë. Pas mjekimit kam dalë nga spitali dhe ndodhen në shtëpi me raporte. Shkakun nuk e di, unë isha në punën time. Mund të jetë për fushatë por unë s’jam i sigurt se nuk e njoh personalisht Xhelal Mziu dhe s’kam patur kurrë lidhje me të. Edhe vetë jam i çuditur se pse më qëlluan. Ndoshta e kanë fryrë (shtyrë) persona të tjerë që ishin në takim elektoral me të. Kam bërë kallëzim në polici dhe janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë së institucionit. Pres të zbardhet ngjarja e plotë nga policia dhe prokuroria“
Ndërkohë bëhet me dije se hetimi i ka kaluar SPAK.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në SPAK, për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, për shtetasit Xh. M., 58 vjeç dhe E. M., 36 vjeç, xhaxha e nip, të dy banues në Tiranë, sepse rreth orës 13:00 të datës 24.04.2025, pas një takimi elektoral të zhvilluar nga subjekti politik “Partia Demokratike”, në fshatin Ostren, dyshohet se kanë goditur me grushte, shtetasin K. M., 33 vjeç, banues në Shupenzë, në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren”, informoi sot policia.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të njësisë administrative Ostren ndërsa ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes.