Sunderland ka përfunduar transferimin e Granit Xhakës nga Bayer Leverkuseni, duke e lidhur me një kontratë trevjeçare. Shuma e marrëveshjes nuk është bërë publike, por besohet të jetë rreth 15 milionë euro, plus 4 milionë të tjera në formë bonusesh.
32-vjeçari mbërrin në “Stadium of Light” pas dy sezonesh shumë të suksesshme me Leverkusenin, ku ishte pjesë e skuadrës që fitoi Bundesligën 2023-24, Kupën e Gjermanisë dhe arriti deri në finalen e Europa League. Xhaka luajti 49 ndeshje në të gjitha kompeticionet sezonin e kaluar, përfshirë 10 sfida në Champions League.
“Jam shumë krenar që jam këtu,” tha Xhaka për faqen zyrtare të Sunderland. “Kur fola me klubin, isha i emocionuar dhe ndjeva energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë këtu. Ishte pikërisht ajo që doja dhe kam një ndjenjë shumë të mirë. Ne jemi rikthyer aty ku ky klub duhet të jetë dhe duam të qëndrojmë këtu për të shkruar historinë tonë. Ndihem gati të ndihmoj ekipin me përvojën time dhe me cilësi. Tani është koha të tregojmë gjithçka në fushë.
Drejtori sportiv i klubit, Kristjaan Speakman, u shpreh: “Jemi të lumtur të mirëpresim Granitin dhe familjen e tij në Sunderland. Mbërritja e tij është një tregues i qartë i ambicieve tona dhe dëshirës për të ndërtuar një skuadër për të cilën tifozët tanë të jenë krenarë në Premier League. Ai është një lojtar i nivelit më të lartë, brenda dhe jashtë fushës, dhe besojmë se është profili perfekt për ekipin tonë.”
Ky transferim është i fundit në një merkato shumë aktive për skuadrën e sapo ngjitur në Premier League. Sunderland ka blerë përfundimisht mesfushorin Enzo Le Fée, ka shtuar Habib Diarra-n dhe Noah Sadiki-n në mesfushë, ndërsa sulmuesit anësorë Simon Adingra dhe Chemsdine Talbi janë gjithashtu pjesë e ekipit. Nga Atlético Madrid ka mbërritur mbrojtësi Reinildo Mandava. Gjithashtu, “Black Cats” kanë arritur marrëveshje për të transferuar portierin 22-vjeçar Robin Roefs nga NEC Nijmegen, i cili sezonin e kaluar zhvilloi 33 ndeshje në Eredivisie.