Organizata bamirëse amerikane World Central Kitchen (WCK) ka ndërprerë aktivitetin e saj humanitar në Rripin e Gazës, duke deklaruar se nuk ka më furnizime për të gatuar ose për të pjekur bukë. “Pas më shumë se 130 milionë vaktesh dhe 26 milionë bukësh të shpërndara gjatë 18 muajve, nuk kemi më çfarë të ofrojmë,” njoftoi organizata në një postim në platformën X.
Kjo ndalesë vjen mes bllokadës së rreptë izraelite ndaj ndihmës humanitare, që u vendos në mars 2025 pas dështimit të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA. Izraeli, nga ana tjetër, akuzon organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, për lehtësimin e furnizimeve që përfundojnë në duart e Hamasit.
World Central Kitchen, e themeluar nga shefi i njohur i kuzhinës José Andrés, ka qenë një nga organizatat më aktive në Gaza. Më herët, shtatë punonjës të saj u vranë në një sulm ajror izraelit në prill 2024 – ngjarje që shkaktoi zemërim global. Një tjetër anëtar i WCK u vra në nëntor, për të cilin Izraeli pretendoi se ishte pjesëtar i Hamasit.







