Një defekt teknik në sistemin e linjës ajrore Wizz Air ka shkaktuar konfuzion dhe shqetësim të madh tek qindra pasagjerë. Kompania u ka dërguar gabimisht udhëtarëve fatura për fluturime që nuk i kishin rezervuar apo realizuar. Disa prej tyre kanë raportuar se, përveç faturave, kanë marrë edhe email-e faljeje për vonesa të fluturimeve të paekzistente.
Për orë të tëra, pasagjerët janë gjendur në pasiguri, të shqetësuar nëse kompania mund t’u kishte tërhequr para për fluturime që ata nuk i kanë kryer. Disa prej tyre u përpoqën të kontaktonin shërbimin ndaj klientit, por hasën vështirësi për të marrë informacion të saktë.
Vetëm pas disa orësh, Wizz Air doli me një email sqarues dhe kërkim ndjese zyrtare, ku njoftonte se bëhej fjalë për një problem teknik në sistemin e tyre të dërgimit të email-eve dhe fatura të automatizuara, dhe se asnjë pagesë nuk ishte bërë realisht për këto fluturime të pasakta.
Megjithatë, ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e sistemit dhe transparencën e kompanisë, sidomos në menaxhimin e të dhënave të pasagjerëve.


