Aktori i famshëm kubano-amerikan, William Levy, është vënë në pranga pas një incidenti të ndodhur në një restorant në Florida të Jugut. Sipas autoriteteve, ai u arrestua për shkak të dehjes, sjelljes së çrregullt dhe hyrjes pa leje në pronë private. Ylli i telenovelave kaloi disa orë në burgun e qarkut Broward në Fort Lauderdale, përpara se të lirohej kundrejt një garancie prej 250 euro për çdo akuzë.
Ngjarja ndodhi në ambientet e restorantit “Baires Grill”, rreth orës 22:10, ku Levy ishte i shoqëruar nga ekipi i tij dhe kishte porositur pije për të gjithë. Sipas raportit të policisë, ai refuzoi të paguante faturën, duke pretenduar se e kishte shlyer më parë. Situata degjeneroi, ndërsa aktori, në gjendje të dehur, u konfliktua fizikisht me një punonjëse të lokalit dhe injoroi disa urdhra për t’u larguar nga ambienti.
Në deklaratën e tij pas lirimit, Levy mohoi versionin zyrtar të ngjarjes, duke thënë se kishte ndërhyrë për të qetësuar një përplasje dhe pa pritur, ishte ai që përfundoi në pranga. Ai nuk pranoi të jepte më shumë detaje, duke zgjedhur të mbyllë komentet me një qëndrim të rezervuar.