FLASH :

Vritet nga bashkëmoshatari i tij, kush është 19-vjeçari që u vra mbrëmjen e djeshme në Vushtrri

Një ngjarje tragjike ka tronditur mbrëmë qytetin e Vushtrrisë, ku një 19-vjeçar u vra nga një bashkëmoshatar i tij. Avni Zahiti, zyrtar i policisë rajonale për Mitrovicë, ka konfirmuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur  mbrëmjen e së dielës rreth orës 20:35 në rrugën “Galip Badivuku”.

“Nga hetimet fillestare, si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19-vjeçar”, ka thënë ai.

Bëhet me dije se 19-vjeçari që mbeti i vrarë quhej Ardit Zymeri.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili bëri të ditur se i dyshuari Bleon Dibrani, për këtë rast është arrestuar.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa atij i është bastisur edhe shtëpia ku i është gjetur edhe një armë e gjatë me pesë fishek.

“Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri (3)gëzhoja. Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale”.

“Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek.”, ka zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë.”, ka deklaruar ai.

19-vjeçari që mbeti i vrarë, Ardit Zymeri.