FLASH :

Vrau, përdhunoi dhe e groposi me valixhe – tani kërkon drejtësi për ‘nderin’ e tij

Një nga krimet më makabre të “nderit” në historinë moderne britanike është rikthyer sërish në gjykatë, këtë herë jo për të kërkuar drejtësi për viktimën, por për të “mbrojtur nderin” e njërit prej kriminelëve. Ali Mahmod, xhaxhai i Banaz Mahmod – e reja që u vra brutalisht në vitin 2006 pasi braktisi një martesë të dhunshme të rregulluar dhe u dashurua me një tjetër – ka nisur një padi për shpifje ndaj ITV, për shkak të mënyrës si u paraqit figura e tij në dramën “Honour” dhe një dokumentar të mëparshëm.

Duke u paraqitur vetë në seancën e fundit në Gjykatën e Lartë në Londër përmes videolidhjes nga burgu HMP Whitemoor, 69-vjeçari Ali Mahmod, i cili po vuan një dënim të përjetshëm për përfshirjen në këtë vrasje çnjerëzore, tha se e ndiente veten të “dëmtuar në reputacion” nga akuzat për përdhunim të paraqitura në prodhimet televizive. Përmes përkthyesit, ai justifikoi vrasjen e mbesës së tij si “të pranueshme në kulturën e tij irakiane”, por tha se ishte akuza për përdhunim ajo që përbënte “një tabu të vërtetë” dhe që kishte çuar në pasoja ndaj tij dhe familjes.

Reagimet ndaj padisë së tij nuk kanë munguar. Të afërm të Banaz-it, të mbështetur nga aktivistë dhe organizata për të drejtat e grave, e kanë cilësuar rastin si një fyerje të dyfishtë: ndaj viktimës që nuk mund të flasë më dhe ndaj kujtdo që ka luftuar për drejtësi në emër të saj.

“Është e pabesueshme, e neveritshme. Nuk e imagjinonim se do guxonte të ndërmerrte një gjë të tillë,” tha për MailOnline një anëtar i familjes, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Dr. Hannana Siddiqui, nga organizata Southall Black Sisters, e cila ka qenë në vijën e parë të luftës kundër krimeve të “nderit”, u shpreh: “Ai po përpiqet të pastrojë emrin e tij, por e vërteta është se urdhëroi një vrasje. Përdhunimi ishte pjesë e aktit çnjerëzor që iu bë Banaz-it. Në vend që të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë, ai sot po kërkon të shndërrojë veten në viktimë.”

Banaz Mahmod, një vajzë kurde nga Iraku që jetonte në jug të Londrës, kishte paralajmëruar pesë herë policinë për rrezikun që i kanosej. Ajo dokumentoi përndjekjen, kërcënimet dhe madje tha troç: “Nëse më ndodh ndonjë gjë, e ka bërë familja ime.” Por ankesat e saj nuk u morën seriozisht dhe ajo u vra në janar 2006 nga kushërinjtë e saj, me urdhër të babait Mahmod Mahmod dhe xhaxhait Ari Mahmod. Ajo u përdhunua, u torturua dhe u mbyt me një llastik çizmesh, më pas u vendos në një valixhe dhe u varros në një kopsht në Birmingham.

Drama televizive “Honour”, me aktoren Keeley Hawes në rolin e hetueses Caroline Goode – e cila udhëhoqi hetimin e vrasjes – solli në dritë paaftësinë e autoriteteve për ta mbrojtur Banaz-in, si dhe rrjetin e heshtjes brenda komunitetit që tentoi të mbulonte krimin.

Kjo padi e re ka nxitur thirrje për ndryshime ligjore. Aktivistët po kërkojnë që të miratohet një “Ligj i Banaz-it”, që do ta cilësonte abuzimin dhe krimet e “nderit” si rrethana rënduese në dënimet penale. Një propozim që mbështetet edhe nga motra e Banaz-it, Bekhal Mahmod, e cila ka dëshmuar kundër babait dhe xhaxhait të saj dhe jeton ende nën programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim mbi padinë e Ali Mahmod. Por vetë fakti që një i dënuar për vrasje çnjerëzore po pretendon dëm moral për shkak të një dokumentari, ka ngjallur neveri publike dhe ka risjellë në qendër të vëmendjes dramën tragjike të Banaz Mahmod – një histori që në vend që të harrohet, duhet të shërbejë si kambanë alarmi për drejtësinë britanike.