Një nga krimet më tronditëse raciste në historinë e Skocisë po rikthehet në vëmendje, pasi një dokumentar i ri në Amazon Prime Video hedh dyshime të reja mbi dënimin e Michael Ross – adoleshenti që u arratis nga drejtësia për 14 vite pasi vrau me gjakftohtësi kamarierin indian Shamsuddin Mahmood në një restorant në Orkney.
Ross, i cili më pas u bë hero në luftën e parë të Gjirit si sergent në regjimentin e njohur skocez “Black Watch”, u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2008, për një krim që kishte ndodhur kur ishte vetëm 15 vjeç. Ai qëlloi viktimën në kokë nga afër, me një maskë në fytyrë, dhe u largua me qetësi nga vendngjarja.
Por familja e tij ka vijuar të këmbëngulë për pafajësinë e tij dhe thotë se “vrasësi i vërtetë është ende i lirë”. Dokumentari “The Orkney Assassin: Murder in the Isles”, që publikohet këtë të diel, përforcon këto pretendime duke përfshirë dëshmi të reja dhe intervista me prindërit e Ross, të cilët thonë se nuk e besojnë se djali i tyre është një vrasës.
Viktima, Shamsuddin Mahmood, 26 vjeç, kishte vetëm gjashtë javë që jetonte në Orkney dhe ishte në përgatitje për t’u kthyer në Bangladesh për t’u martuar. Ai u qëllua me gjakftohtësi ndërsa punonte në restorantin ku kishte filluar punë së fundmi.
Prokuroria në gjyq e përshkroi vrasjen si “e egër, pa mëshirë dhe e pakuptimtë”. Ross u dënua gjithashtu për përpjekje për të penguar drejtësinë, pasi dyshohet se fshehu armën dhe ndërroi rrobat pas krimit.
Gjykata dëgjoi gjithashtu se ai kishte shfaqur qartë që në adoleshencë pikëpamje ekstremiste, duke shkruar simbole naziste dhe slogane raciste në librat e tij. Dëshmitarët deklaruan se ai kishte thënë dikur se “të zinjtë duhen pushkatuar”.
Pavarësisht dënimit, Ross – dhe veçanërisht prindërit e tij, Moira dhe Edmund – vazhdojnë të luftojnë për pafajësinë e tij. Në dokumentar, nëna e tij kujton momentin kur i kërkoi djalit të saj adoleshent nëse e kishte kryer krimin: “I thashë ‘A e qëllove ti atë njeri?’ – dhe ai më tha ‘Jo’. Nuk mund ta harroj shprehjen e fytyrës së tij.”
Një dëshmi kyçe që çoi në dënimin e Ross erdhi në vitin 2006, kur një burrë i quajtur William Grant solli një shënim në polici ku pretendonte se e kishte parë Ross-in me një armë dhe të veshur me maskë, në tualetet publike pranë vendngjarjes në natën e vrasjes.
Gjykimi i gjatë zgjati gjashtë javë dhe juria vendosi fajësinë me shumicë votash. Kur u dha vendimi, Ross u përpoq të arratisej nga salla e gjyqit, por u ndalua nga rojet.
Ross, që kishte shërbyer me nder në Irak dhe ishte dekoruar për trimëri në luftë, tani vuan një dënim me burgim të përjetshëm me minimum 25 vite burg. Në një intervistë të fundit me gazetën “The Orcadian”, ai tha: “Po vuaj një dënim prej 25 vitesh për diçka që nuk e kam bërë.”
Dokumentari “The Orkney Assassin” publikohet në Amazon Prime Video më 8 qershor në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.












