FLASH :

Vrau kushëririn në Klos, 31-vjeçari Hazbi Velsula “kyç” gojën para gjykatës – lihet në burg deri në përfundim të hetimeve

Gjykata e Dibrës ka caktuar masën “arrest me burg” për Hazbi Velsulën, 31-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e kushëririt të tij, Selim Velsula, 65 vjeç, në një ngjarje të rëndë që ndodhi më 11 qershor në zonën e Xibrit, Klos. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, i dyshuari zgjodhi të mos flasë dhe nuk dha asnjë shpjegim mbi motivet e krimit.

Selim Velsula u gjet i pajetë nga një bashkëfshatar, i goditur disa herë me thikë pranë banesës së tij. Hazbi Velsula u arrestua vetëm pak orë më vonë në zonën e Alliasit në Tiranë. Sipas hetuesve, pistat kryesore lidhen me konflikte për pronën, por motivi mbetet ende i paqartë, pasi i dyshuari ka refuzuar të japë dëshmi pa praninë e avokatit. Hetimet vijojnë, ndërsa autori i dyshuar mbetet i izoluar në qeli.