Ngjarja e rëndë që tronditi dje fshatin Pirg të Maliqit ka marrë detaje të reja. Sipas policisë, autori dhe viktima kishin pasur një konflikt të mëparshëm verbal, ndërsa kishin debatuar edhe më parë në rrjetet sociale.
Sipas burimeve nga vendngjarja, takimi i tyre nuk ka qenë i planifikuar. Të dy adoleshentët ndodheshin rastësisht në të njëjtin lokal, kur njëri kërkoi të sqarohej me tjetrin. Debati degradoi shpejt në përleshje fizike, dhe autori i dyshuar nxori nga xhepi një mjet prerës, duke goditur fatalisht bashkëmoshatarin e tij 14-vjeçar, Erald Xhejo. Autori, që ka marrë dëmtime jo nga thika, ndodhet në spital nën shoqërimin e policisë.
Fotot e siguruara nga mediat tregojnë 14-vjeçarin e dyshuar duke pozuar me një armë gjahu tip çifte dhe duke vendosur mbishkrimin “Unë do shfaqem kur nuk ta pret mendja”. Ai përshkruhet nga bashkëmoshatarët si problematik dhe i përfshirë shpesh në konflikte. Policia ka sekuestruar telefonat e të dyve dhe vijon kërkimet për gjetjen e thikës së krimit.









