FLASH :

“Vrasje nga Racizmi?” — Gjermania përballet me akuza të rënda pas vdekjes së 21-vjeçarit

Në Gjermani po rritet presioni ndaj autoriteteve pas vrasjes së një 21-vjeçari me ngjyrë nga një efektiv policie në Oldenburg. Aktivistët për të drejtat civile kanë kërkuar një hetim të pavarur, duke ngritur akuza për racizëm institucional.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 20 prillit, pas një konflikti jashtë një klubi nate. Sipas autoriteteve, oficeri 27-vjeçar që qëlloi viktimën është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij është hapur një procedurë hetimore për vrasje, të cilën prokuroria e ka cilësuar si “standarde”.

Identiteti i viktimës nuk është bërë publik nga policia për shkak të ligjeve të privatësisë, por organizatat e shoqërisë civile e kanë identifikuar atë si Lorenz A., shtetas gjerman dhe basketbollist i njohur në komunitetin e tij.

Sipas versionit zyrtar, Lorenz A. dyshohet se spërkati me spraj piper punonjës të sigurisë dhe kërcënoi persona të tjerë me thikë gjatë arratisjes. Policia pretendon se ai u tregua kërcënues edhe ndaj patrullës, çka çoi në përdorimin e armës. Megjithatë, autopsia ka zbuluar se i riu është qëlluar nga pas, me të paktën tre plumba në kokë, bust dhe ijë.

Ministrja e Brendshme e Landit, Daniela Behrens, e cilësoi autopsinë si alarmuese dhe kërkoi sqarim të plotë të ngjarjes. Ndërkohë, sindikata e policisë PBB paralajmëroi kundër “gjykimeve të parakohshme”, duke mohuar akuzat për racizëm.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe materialet audio nga vendngjarja janë ende në shqyrtim. Deri tani, nuk ka prova që Lorenz A. ka kërcënuar efektivët me thikë, ndërsa është konfirmuar se kamerat e trupit të policëve kanë qenë të fikura në momentin kritik.

Organizatat për të drejtat e njeriut, përfshirë Amnesty International dhe Iniciativën e Zezakëve në Gjermani (ISD), i kanë cilësuar të shtënat si “shqetësuese” dhe kanë kërkuar krijimin e një mekanizmi të pavarur për hetimin e akteve të dhunës policore me motive raciste.

Një protestë masive është paralajmëruar të mbahet të premten në Oldenburg, ku qytetarët dhe organizatat e të drejtave të njeriut do të kërkojnë drejtësi për Lorenz A. dhe përgjegjësi institucionale.