FLASH :

Vrasje mafioze në Bali: Australiani që u ekzekutua para gruas së tij, tre të arrestuar përballen me dënimin me vdekje

Një pushim luksoz në Bali u shndërrua në një skenë krimi të rëndë, pasi Zivan “Stipe” Radmanovic, 35 vjeç, u vra me armë zjarri para syve të bashkëshortes së tij në një sulm të dyshuar si hakmarrje brenda rrjeteve kriminale të Melburnit. Një tjetër australian, Sanar Ghanim, 34 vjeç, u plagos rëndë në të njëjtin incident që ndodhi pas mesnate në një vilë në Munggu, Badung, në jug të Balit.

Sulmi besohet të ketë lidhje me konfliktet e vazhdueshme ndërmjet klaneve të krimit të organizuar me origjinë nga Lindja e Mesme në Australi. Ghanim, ish-partner i vajzës së trafikantit famëkeq të drogës Carl Williams, ndodhej në Bali prej disa kohësh me partneren e tij. Ai është arrestuar më parë në Australi për përfshirje në një plagosje me armë zjarri në 2014.

TRE TË ARRESTUAR, MUND TË DËNOHEN ME VDEKJE

Tre australianë janë arrestuar si të dyshuar për atentatin. Njëri prej tyre, Darcy Francesco Jenson, 27 vjeç, u kap në aeroportin e Jakartës ndërsa tentonte të largohej nga vendi. Një tjetër, Mevlut Coskun, 23 vjeç – me precedent penal për shpërndarje drogash – u arrestua në Singapor, ndërsa i treti, Midolmore Tupou, 37 vjeç, u ndalua në Melburn si pjesë e planifikimit të atentatit.

Autoritetet indoneziane thanë se të dyshuarit kishin ndërruar disa herë automjete për të fshehur gjurmët, duke përfshirë një motor, një SUV Toyota Fortuner dhe një makinë tjetër XL7. Njëri prej tyre është ekstraduar tashmë në Bali me pranga.

Sipas shefit të policisë së Balit, Daniel Adityajaya, të tre mund të akuzohen për vrasje me paramendim nën nenin 340 të Kodit Penal indonezian – që parashikon dënimin me vdekje.

SKENA E KRIMIT DHE RRETHANAT

Radmanovic u qëllua ndërsa ndodhej në banjë. Gruaja e tij, Gourdeas Jazmyn, 30 vjeçe, dëgjoi britmat dhe pa nga pas një batanijeje sesi dy burra e qëlluan për vdekje. Ajo më pas u përpoq të shpëtonte Ghanim-in, i cili u qëllua shtatë herë në një dhomë tjetër.

Në vendin e ngjarjes, policia gjeti 17 gëzhoja dhe 55 fragmente plumbash, ndërsa pamjet nga vila tregonin gjurmë gjaku në korridor. Një dëshmitar raportoi se dy burra me theks australian u larguan me motoçikleta.

Policia ka sekuestruar pasaporta, para, automjete dhe një çekiç si pjesë të hetimeve.

SFONDI KRIMINAL DHE LIDHJET MAFIOZE

Ghanim ka një të kaluar të lidhur me krimin në Melburn dhe lidhjet e tij me Danielle Stephens, vajzën e Carl Williams – figurë kyçe në “luftërat e bandave” të viteve ’90 dhe 2000 – kanë ngritur dyshime se sulmi mund të ketë qenë një goditje e porositur.

Carl Williams, një nga trafikantët më famëkeq të drogës në Australi, u vra në burg në vitin 2010. Historia e tij është dramatizuar në serialin e njohur “Underbelly”.

Ndërkohë, familja e Radmanovic ka firmosur për kryerjen e autopsisë, pasi më parë kishte vonuar procesin. Ai kishte mbërritur në Bali për të festuar ditëlindjen e gruas, vetëm disa ditë para se të vritej tragjikisht.

Policia indoneziane ka bërë thirrje për dëshmitarë dhe prova të mëtejshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Arrestimet janë bërë falë bashkëpunimit me Interpolin dhe autoritetet australiane.