FLASH :

Vrasja e trefishtë në Gjilan, lirohet nga burgu i dyshuari që u arrestua në vendngjarje

Është liruar në procedurë të rregullt Enis Shkodra, i cili u arrestua në vendngjarje lidhur me vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Ai është djali tjetër i Mefail Shkodrës, i cili bashkë me dy djemtë tjerë, Edonisin dhe Engjullin, po dyshohen për këtë rast.

Lajmin e ka konfirmuar avokatja e tij, Lirije Kovani, e cila tha se klienti i saj është liruar në procedurë të rregullt, meqë s’ka pasur prova se ka qenë i përfshirë në rast.

“Prokurori i shtetit sot e la të lirë dhe është ndërprerë masa e ndalimit. Ai është liruar në procedurë të rregullt pasi me asnjë provë të vetme nuk është vërtetuar që ai ka qenë i përfshirë në këtë rast” – tha avokatja në RTV Dukagjini.

Sipas saj, klienti i saj në momentin kur ka ndodhur incidenti tragjik nuk ka qenë fare në vendin e ngjarjes dhe ka alibi për këtë. Ajo tha se klienti i saj kishte shkuar në vendin e ngjarjes vetëm pasi nëna e tij e kishte telefonuar dhe e kishte njoftuar se diçka kishte ndodhur.

Sipas avokates, klienti i saj ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka pyetur njerëzit se çfarë ka ndodhur, u afrohet zyrtarëve policorë dhe u tregon se kush ishte – djali i Mefail Shkodrës, e pas kësaj zyrtarët policorë e fusin në veturën e Policisë, fillimisht për shkaqe sigurie, dhe më pas e dërgojnë në stacionin policor në Gjilan, e intervistojnë si të dyshuar për pjesëmarrje në rrahje, dhe më pas, me vendim të prokurorit të shtetit e ndalojnë për 48 orë.

Avokatja tregoi se dje, më 11.08.2025, është mbajtur seanca në Prokurorinë e Gjilanit, ku klienti i saj ka treguar se në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë duke bërë incizimin video në një aheng familjar dhe se nuk ka qenë fare prezent në vendin e ngjarjes dhe nuk ka pasur njohuri se çka ka ndodhur.

Në konferencën për media, të mbajtur të dielën në mbrëmje, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, kishte njoftuar se një person ishte arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa tre të dyshuarit kryesorë për vrasjen e trefishtë, Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, Edonis dhe Engjull Shkodra, ishin në arrati.