Një person, që dyshohet se ka siguruar kushtet për vrasjen e Renato Hoxhajt në Vlorë, është vënë në pranga në kryeqytet.
Ai është nga Tropoja, merrej me shitje pronash dhe njihet si mik i Sidorel Prendit (Rohan Brahimit).
Arrestimi i tij erdhi pas hetimit të policisë së Vlorës, e cila identifikoi makinën me të cilën lëvizi vrasësi. Rezulton se këtë makinë tropojani ia kishte dorëzuar autorit para krimit, ndërsa mjetit i ishin ndërruar edhe targat.
Në cilësinë e provës materiale, të arrestuarit i është sekuestruar një celular, brenda të cilit janë gjetur të dhëna të vlefshme për hetimin, ku dyshohet se vrasja është porositur nga një grup kriminal nga Emiratet e Bashkuara.
Policia është duke thelluar hetimin për të mbërritur tek emri i ekzekutorit, i cili ende nuk është identifikuar.
Duket se dhe viktima i druhej një sulmi pasi kishte shtuar masat e sigurisë. Ne banesën e tij rreth dy muaj më parë kishte instaluar në çdo cep kamera sigurie, të cilat filmuan ngjarjen dhe makinën e autorit. Por, frikën për sulm të mundshëm nuk e kishte raportuar në polici.
Ky është autori i ngjarjes që i mori jetën qytetarit nga Vlora disa ditë më parë. Në videon e siguruar, ai shihet teksa largohet me nxitim nga vendi i krimit, i maskuar me një kapele në kokë. Pamjet e kamerave të sigurisë japin një pasqyrë të qartë të momentit kur ai largohet, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për kapjen e tij. Ende nuk ka një identifikim zyrtar, por videoja pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Kjo është foto e personit që dyshohet se ekzekutoi 58-vjeçarin Renato Hoxhaj, ngjarje e ndodhur rreth orës 06:00 të datës 27 Prill në Vlorë.
Ndërkohë mësohet se është arrestuar një person që dyshohet se ka ndihmuar autorin të largohet me makinë nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu ka dyshimet se ka persona të tjerë të përfshirë dhe se porosia për ekzekutimin e 58-vjeçarit të ketë ardhur nga jashtë vendit.
