FLASH :

Vrasja e Fierit, momenti kur vajza dhe mamaja dalin me pranga, dorë për dore

Tre të akuzuarit për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik në Frashër të Patosit janë paraqitur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Fier. Emalinda Rama 26 vjeçe, nëna e saj Valbona Rama 53 vjeçe dhe Çlirim Dogani 55 vjeç banues në Arapaj akuzohen si bashkëpunëtorë në vdekjen e Anesti Ramës 56 vjeç. Seanca gjyqësore po zhvillohet me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Klodiana Keyeziu dhe prokurorja Lorena Sallillari ndërsa tre të dyshuarit do të përballen me akuzën për vrasje me rrethana rënduese.

Sipas hetimeve paraprake të Prokurorisë së Fierit viktima dyshohet se është mbytur me tel dhe është goditur me sende të forta ndërsa në trupin e tij janë konstatuar dëmtime të shumta përfshirë në zonat intime. Autoritetet hetuese kanë përjashtuar mundësinë e një grabitjeje apo konflikti për pronë duke orientuar hetimin drejt një ngjarjeje me sfond personal e cila po hetohet si vrasje në bashkëpunim. Dëshmitë kontradiktore të dhëna në fazat e para të hetimit kanë shtuar dyshimet mbi rrethanat e krimit dhe kanë thelluar dritëhijet që e shoqërojnë këtë çështje.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në ambientet e gjykatës nën masa të forta sigurie ndërsa seanca e sotme pritet të përcaktojë edhe masën e sigurisë që do të merret ndaj tyre. Hetimet janë ende në vijim dhe pritet që në ditët në vazhdim të dalin në dritë të tjera prova që do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.