FLASH :

Vota e fundit në OKB: Abstenimi që trondit ndërgjegjen

Nga Brenton Kotorri

Më 12 qershor 2025, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë urgjente duke kërkuar mbrojtjen e menjëhershme të civilëve palestinezë në Gaza dhe hapjen e korridoreve humanitare, pas disa muajsh bombardimesh shkatërrimtare. Rezoluta në fjalë, e sponsorizuar nga Spanja dhe shteti i Palestinës, u miratua me 148 vota pro, 12 kundër dhe 19 abstenime. Shqipëria zgjodhi të abstenojë në këtë votim historik, duke u rreshtuar asnjanëse përballë një thirrjeje globale për armëpushim dhe ndihmë humanitare në Gaza. Kjo ndodhi pavarësisht se teksti i rezolutës dënonte qartë si vrasjen e civilëve palestinezë, ashtu edhe mohimin e ndihmave jetike, gjëra që vështirë se mund të kundërshtohen moralisht. Pyetja që ngrihet natyrshëm është: pse Shqipëria vendosi të heshtë? A mund të ketë realisht dilemë apo justifikim për të mos votuar kundër vrasjes së fëmijëve me snajper?
Atmosfera në sallën e OKB-së atë ditë foli vetë. 149 shtete (pasi edhe disa abstenues në fillim ndryshuan votën) mbështetën pa rezerva thirrjen për armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm në Gaza. Vende tradicionale aleate të Uashingtonit, si Britania, Australia dhe Japonia dolën nga hija dhe votuan pro rezolutës, duke u distancuar nga pozicioni amerikan. Në Evropë, veç Hungarisë që votoi kundër, shumica dërrmuese e vendeve, madje edhe ato që më herët hezituan, e mbështetën tekstin humanitar. Shqipëria, megjithatë, qëndroi mes pakicës së izoluar që abstenuan, krahas disa shteteve ish-komuniste dhe ish-sovjetike si Rumania, Bullgaria, Gjeorgjia apo Çekia. Ky pozicion zhgënjyes i Tiranës u prit me habi e zemërim nga shumë vëzhgues. “Ne nuk mund të rrimë në heshtje përballë krimeve të fundit në Gaza,” kishte deklaruar në apel të zjarrtë ambasadori i Palestinës para votimit. Mirëpo, pikërisht heshtjen zgjodhi të bëjë vendi ynë në formën e një abstenimi që, për nga efekti, pak ndryshon nga mospërfillja e plotë e vuajtjeve njerëzore.
Abstenimi i qershorit 2025 nuk është një rast i izoluar. Votat e Shqipërisë në OKB lidhur me Palestinën, sidomos që prej vitit 2013, dëshmojnë një model shqetësues mospërputhjeje midis deklaratave morale dhe veprimeve konkrete.
• Dhjetor 2017 – Statusi i Jerusalemit: Shqipëria votoi pro një rezolute që dënonte njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet Izraelit nga administrata Trump. Ishte një qëndrim i drejtë por fatkeqësisht i rrallë. Në votimet pasuese, Shqipëria u rikthye tek pasiviteti.
• Qershor 2018 – Gaza: pas vrasjes së qindra civilëve në Gaza nga ushtria izraelite, Shqipëria abstenoi në një rezolutë që kërkonte llogaridhënie për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. 120 shtete thanë “mjaft”. Ne jo.
• Dhjetor 2022: Shqipëria votoi kundër një rezolute që kërkonte opinion ligjor nga Gjykata Ndërkombëtare për pushtimin izraelit të Palestinës.
• Gaza 2023: pas ofensivës së Hamasit dhe përgjigjes brutale të Izraelit, Shqipëria abstenoi në tetor për një rezolutë që kërkonte armëpushim. Në dhjetor, kur gjenocidi u duk hapur dhe presioni ndërkombëtar u shtua, Shqipëria votoi pro. Por ishte tepër vonë.
• Maj 2024: në një rezolutë që mbështeste anëtarësimin e Palestinës në OKB, Shqipëria abstenoi sërish. 143 vende votuan pro. Ne heshtëm. As pro, as kundër vetëm që të mos bezdisim “aleatët.”.
Nga rastet e mësipërme del qartë se Shqipëria ka një prirje konsistente për t’u rreshtuar me SHBA-në dhe Izraelin në OKB, kur vjen puna tek çështjet e Palestinës. Përveç ndonjë përjashtimi të rrallë, vota jonë ose kundërshton rezolutat pro-Palestinë, ose kur s’guxojmë të votojmë kundër, zgjedhim abstenimin pasiv. A ka dilemë për të votuar kundër vrasjes së fëmijëve? Jo. Dhe nuk duhet të ketë. Nëse politika jonë e jashtme ka një minimum morali, duhet të dalë nga ky servilizëm i verbër. Vota jonë në OKB duhet të jetë për jetën, për drejtësinë, për nderin e vendit tonë jo për qejfin e të fuqishmëve. Ose, atëherë pretendimi ynë për “politikë vlerash” është minimalisht hipokrizi. Nëse duam të jemi në anën e duhur të historisë, nuk mund të heshtim. Heshtja është bashkëfajësi. Dhe historia do të na gjykojë.
A ka ndonjë dilemë të votosh kundër vrasjes së fëmijëve? Jo, nuk ka dhe nuk duhet të ketë. Çdo zyrtar që përfaqëson Shqipërinë në OKB duhet ta ketë të shkruar këtë në ndërgjegje. Politika e jashtme shqiptare ka nevojë urgjente për një rishikim parimor sa i takon konfliktit izraelito-palestinez. Të mbrojmë hapur jetën e fëmijëve, të drejtat e popujve për liri e dinjitet, dhe të respektojmë të drejtën ndërkombëtare këto janë vlera universale, jo “favor” ndaj njërës apo tjetrës palë. Vetëm kështu do të nderojmë emrin e Shqipërisë dhe trashëgiminë tonë si popull që e ka njohur vetë çmimin e lirisë. Nëse duam të jemi në anën e duhur të historisë, nuk mund të kemi dilemë për të votuar kundër vrasjes së fëmijëve me snajper. Vota jonë në OKB duhet ta bërtasë këtë të vërtetë për hir të humanizmit, për hir të drejtësisë dhe mbi të gjitha duke iu frikësuar gjykimit të Zotit.