Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar gjatë samitit të BE-së se bota po përjeton një epokë ndryshimesh historike, ku gjeopolitika është kthyer në një çrregullim të paparë, i nxitur nga agresioni i Vladimir Putinit në Ukrainë.
“Ndryshimet që po kalojmë janë historike, nuk ka asnjë dyshim. Ajo që perceptuam si rend botëror po kthehet në një çrregullim botëror”, u shpreh ajo para liderëve të BE-së dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Von der Leyen theksoi se Europa ka reaguar me vendosmëri, duke u forcuar përballë pandemisë dhe luftës në Ukrainë:
“Europa është zgjuar, i ka sytë hapur. Duhet të ecim përpara, të mbyllim hendekun e inovacionit dhe të zgjerojmë rrjetin e partneriteteve globale.”
Në një deklaratë të fortë mbështetëse për Kievin, ajo tha se vetë prania e Zelensky-t në samit është prova e unitetit europian:
“Europa është bashkuar më shumë se kurrë. Qëndrimi ynë i palëkundur përkrah Ukrainës është i çeliktë. Shumica e anëtarëve kanë mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.”
Von der Leyen përmendi edhe përpjekjet për të forcuar presionin ndaj Kremlinit:
“Jemi të gatshëm ta sjellim Putinin në tryezën e paqes. Por, ndërkohë, po punojmë për grupin tjetër të sanksioneve. Kjo luftë duhet të marrë fund.”