Një vajzë trevjeçare ka pësuar një sulm të tmerrshëm nga një qen race Cockapoo, i cili i shqeu dorën, ndërsa babai i saj u detyrua t’i mbante lëkurën e bashkuar me duar për të ndaluar gjakderdhjen – sulmi ndodhi jashtë një shkolle fillore në Rainham, Kent.
Bunnie po kthehej në shtëpi së bashku me babanë e saj, Rowen Skinley, dhe dy motrat e saj të martën, kur qeni – një përzierje Cocker Spaniel dhe Poodle – e sulmoi papritur para shkollës fillore “Miers Court”.
Ajo u dërgua menjëherë me urgjencë në një spital në Londër për ndërhyrje plastike, ndërsa pronarja e qenit, një femër që e tërhoqi qenin nga vajza duke i shqyer lëkurën në këtë përpjekje, u largua nga vendngjarja pa lënë asnjë të dhënë.

“U trondita. E vetmja gjë që kisha për të ndalur gjakderdhjen ishin duart e mia. Duhej t’i mbaja lëkurën të bashkuar,” – rrëfeu babai. Ai shtoi se vajza është më mirë tani, por ende e traumatizuar dhe e frikësuar nga qentë.
“Është shumë e trishtueshme që gruaja nuk ndaloi. Kjo të bën të kesh frikë për sigurinë e fëmijëve të tjerë”, shtoi ai.
Policia e Kentit ka konfirmuar se hetimet janë në vazhdim.
Cockapoo-t shpesh konsiderohen qen të dashur për familjet – me karakter të butë, të bindur dhe të lehtë për t’u trajnuar – por përvoja e z. Skinley ishte krejt ndryshe.

Ai tregoi se ngjarja ndodhi gjatë rrugës për në shtëpi, në një rrugicë të ngushtë, ku një grua po ecte me qenin në rrugë. Papritur, qeni u hodh drejt vajzës dhe e rrëzoi për tokë.
Dëshmitarët konfirmuan se vajza nuk e kishte provokuar qenin. Pas sulmit, ajo u dërgua fillimisht në spitalin Medway në Gillingham dhe më pas në Spitalin St. Thomas në Londër, ku iu bë një operacion rindërtues pas disa ekzaminimeve me rreze X për të parë nëse plagët kishin prekur kockat.
Z. Skinley shtoi se vajza vuan edhe nga një sëmundje pulmonare dhe astmë e rëndë, duke e renditur atë në kategorinë e rrezikut të lartë për sedacion. Ajo do të rikthehet në spital për kontroll brenda javës për të vlerësuar nëse i nevojitet një operacion tjetër.
Kushdo që ka informacion, përfshirë pamje nga kamera sigurie ose zile inteligjente, është i lutur të kontaktojë policinë në 01634 792209 duke përmendur referencën 46/102876/25.
Ky rast vjen në një kohë kur MailOnline raportoi se çdo ditë në Mbretërinë e Bashkuar sekuestrohen të paktën 16 qen të rrezikshëm. Nga nëntori 2023 deri në nëntor 2024, 27 forca policore sekuestruan rreth 6,000 qen të tillë – që do të thotë rreth 114 në javë.

Policia e Manchester-it udhëhoqi me mesatarisht 19 sekuestrime në javë dhe eutanazoi 337 prej tyre në një vit. West Midlands ishte e dyta, ndjekur nga Northumbria dhe West Yorkshire.
Ekspertët paralajmërojnë se ndalimi i qenve të rrezikshëm si masë sigurie ka “të meta kritike” dhe theksojnë se fokusi duhet të jetë te përgjegjësia e pronarëve.
Një zëdhënës i Puppies.co.uk tha se “Ligji për Qentë e Rrezikshëm” është në fuqi prej më shumë se tre dekadash, por numri i shtrimeve në spitale për shkak të kafshimeve është në rritje. Ata kërkojnë masa më të ashpra ndaj praktika të dobëta të shumimit dhe edukimit të qenve, në vend të ndalimit sipas racës.