FLASH :

Grabiti shitësen dhe dyshohet se tentoi ta përdhunonte, kush është ‘skifteri’ i Sarandës? (EMRI + FOTO)

Një 48-vjeçar është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se një ditë më parë ka grabitur një dyqan nën kërcënimin e thikës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 2, Sarandë.

Sipas policisë, dyshohet se ka vjedhur me dhunë një shumë prej 60000 lekësh nga shitësja e dyqanit, 26 vjeçe, e cila si pasojë ka pësuar dëmtime fizike.

Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Ndërkohë vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Autori, Jorgo Kumaraku është një emër për policinë pasi më parë ka qenë edhe më parë i arrestuar për vjedhje me dhunë të një gruaje në bankomatin e një banke, vjedhjen në një hotel dhe grabitjen e 3 kazinove me pistoletë lodër.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materiale në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin J. K., 48 vjeç, pasi ditën e djeshme, në një dyqan në lagjen nr. 2, Sarandë, dyshohet se nën kërcënimin e një mjeti prerës (thike), ka vjedhur me dhunë një shumë prej 60000 lekësh nga shitësja e dyqanit, 26 vjeçe, e cila si pasojë ka pësuar dëmtime fizike. Gjithashtu, dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj saj. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar”, informoi sot policia.

Në vitin 2007 ai ka grabitur duke kërcënuar me armë lodër punonjësen e kazino “Perla” në Sarandë, ngjarje për të cilën është dënuar me 5 vjet burg.

Në vitin 2008 i është gjetur në qeli një celular, për të cilin ka dhënë deklaratë të rreme sikur e kishte futur në qeli një polic i paraburgimit Sarandë. Ky i fundit u arrestua por u la i lirë pasi u zbulua gënjeshtra e Kumarakut, duke bërë që ky i fundit të dënohej me 6 muaj burg.

Në shtator 2013 me një pistoletë lodër dhunoi dhe grabiti punonjësen e kazino “Admiral” ne Sarandë. Një dite pas ngjarjes së Sarandës, dhunoi dhe grabiti me pistoletë lodër punonjësen e një kazinoje tek Ura e Lumit në Gjirokastër.

Në maj të 2021-it teksa një e re po tërhiqte paratë nga një bankomat, Kumaraku e ka kërcënuar me thikë që ti jepte paratë ose ndryshe do e vriste.

Në korrik të 2023-it Kumaraku vodhi në një hotel 3 televizorë dhe disa sende personale të turistëve. 48-vjeçari në këtë kohë ‘u kap’ mat nga turistët.