Policia Kufitare e Vlorës i erdhi në ndihmë dy shtetasve gjermanë, veliera e të cilëve kishte mbetur e bllokuar që prej mbrëmjes së djeshme në grykëderdhjen e lumit Seman.
Pas njoftimit të marrë në Sallën Operative të DVKM Vlorë, Njësia e Patrullës Detare u nis menjëherë me mjet lundrues dhe bëri të mundur transportimin e sigurt të dy shtetasve drejt bregut. Verifikimet paraprake treguan se veliera me flamur gjerman ishte nisur nga Korfuzi, Greqi, dhe ishte bllokuar në këtë zonë për shkak të kushteve të terrenit.
Dy shtetasit ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata do të asistohen nga Kapiteneria e Portit Vlorë për procedurat e mëtejshme.
Policia Kufitare njofton se mbetet në gatishmëri të plotë, 24/7, në shërbim të qytetarëve dhe turistëve.