Një tjetër rast i shitjes së drogës është goditur nga Policia e Vlorës në lagjen “10 Korriku”, ku një 58-vjeçar me precedent penal për krime kundër personit është arrestuar në flagrancë. Gj. C. (F.), u kap teksa shpërndante doza me kokainë në zona të ndryshme të qytetit. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, policia gjeti sasi kokaine dhe kanabisi, një peshore elektronike dhe një pistoletë sportive që e mbante pa leje.
Shtetasi u vu në pranga për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve sportive”. Policia e Vlorës njofton se operacionet për goditjen e shpërndarjes së drogës do të vijojnë, veçanërisht në zonat urbane dhe turistike. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









