Vlora po përjeton një nga verat më të errëta në historinë e saj, ku incidentet e njëpasnjëshme kanë shndërruar qytetin bregdetar në epiqendrën e emergjencave urbane dhe shëndetësore. Sot, një tjetër zjarr masiv ka përfshirë fushën e mbetjeve në afërsi të qytetit, duke lëshuar re të dendura tymi toksik që janë ndjerë në lagjet përreth dhe deri në zonat turistike.
Nuk ka rëndësi nëse zjarrvënia kancerogjene e radhës në fushën e mbetjeve të Vlorës — që rrezikon jetën e mijëra banorëve dhe turistëve në këtë qytet — është e qëllimshme apo jo. Rëndësi ka fakti që Vlora ka një kryebashkiak dhe një administratë të paaftë për të menaxhuar sigurinë, mirëqenien, shëndetin dhe pastërtinë e qytetit.
Përballë kësaj situate dramatike, e cila përbën një turp për imazhin e Shqipërisë në botë, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, një i paaftë kronik dhe i përsëritur në dështime, duhet të japë dorëheqjen urgjentisht!
Nëse ai nuk e ndërmerr këtë akt për shkak të burracakërisë apo egos për pushtet, atëherë kryeministri Edi Rama duhet ta shkarkojë, me të njëjtën vendosmëri që shkatërroi ndërtimet e paligjshme në Theth apo çadrat e lokaleve në Tiranë që kanë zaptuar hapësirat publike.
Vlora vijon të mbetet në qendër të kronikave këtë verë, mes një sërë incidentesh që kanë vënë në provë kapacitetet e qytetit për të përballuar fluksin turistik dhe emergjencat urbane.
Një apartament në një pallat pranë rrugës Transballkanike është përfshirë sot nga flakët, duke shkaktuar panik tek banorët. Në vendngjarje ndodhen shërbimet zjarrfikëse dhe forcat e policisë, që po punojnë për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes në banesat përreth. Deri më tani raportohet vetëm për dëme materiale.
Ky incident vjen pas një sërë ngjarjesh të ngarkuara që kanë dominuar kronikat nga Vlora gjatë javëve të fundit: nga aksionet policore, mbytjet në det, përplasjet me armë mes grupeve kriminale, djegiet e landfilleve, e deri tek përmbytjet që ndodhën një ditë më parë pas vetëm pak minutash shi.
Përballë kësaj situate të jashtëzakonshme, kryetari i bashkisë Ermal Dredha është kritikuar publikisht për paaftësi në menaxhimin e krizave, madje edhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Vlora, dikur simbol i pushimeve dhe qetësisë, këtë verë është kthyer në epiqendrën e lajmeve, një “kryeqytet i kronikës”, ku çdo ditë sjell një histori të re shqetësuese për qytetarët dhe turistët.