FLASH :

Vlerësimi i hershëm i inteligjencës amerikane sugjeron se sulmet ndaj Iranit nuk shkatërruan objektet bërthamore

Sulmet ajrore të ushtrisë amerikane ndaj tre objekteve bërthamore iraniane fundjavën e kaluar nuk arritën të shkatërrojnë komponentët kryesorë të programit bërthamor të Iranit dhe sipas një vlerësimi të hershëm të inteligjencës amerikane, e kanë vonuar atë vetëm për disa muaj, sipas shtatë burimeve që kanë parë raportin.

Ky vlerësim, i përgatitur nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) – krahu i inteligjencës i Pentagonit – bazohet në analizën e dëmeve të bëra nga Komanda Qendrore e SHBA pas sulmeve. Edhe pse analizat vazhdojnë, gjetjet fillestare bien ndesh me deklaratat e Presidentit Donald Trump se sulmet “e shkatërruan plotësisht” kapacitetin bërthamor të Iranit. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi gjithashtu se “ambiciet bërthamore të Iranit janë zhdukur.”

Sipas dy burimeve, stoku i uraniumit të pasuruar të Iranit nuk u shkatërrua, dhe centrifugat janë “kryesisht të paprekura.” Një burim tjetër tha se uraniumi i pasuruar mund të jetë larguar nga objektet përpara sulmeve. “Vlerësimi është se u vonuan ndoshta vetëm për disa muaj,” tha një burim.

Shtëpia e Bardhë pranoi ekzistencën e vlerësimit, por mohoi përmbajtjen. Zëdhënësja Karoline Leavitt e quajti raportin “të rremë” dhe “një përpjekje për të ulur vlerën e Presidentit Trump dhe pilotëve tanë trima”.

Trump, nga Holanda ku merr pjesë në samitin e NATO-s, e quajti sulmin “një nga më të suksesshmit në histori”, duke këmbëngulur se objektet bërthamore “janë shkatërruar plotësisht.”

Megjithatë, burimet thonë se bombat amerikane prej 13 tonësh goditën kryesisht strukturat mbi tokë në Fordow, Natanz dhe Isfahan. Objektet nëntokësore dhe pajisjet për pasurimin e uraniumit nuk u eliminuan.

Ndërsa Izraeli kishte kryer sulme paraprake, ai kishte kërkuar ndihmën e SHBA për të përdorur bombat bunker-buster. Izraeli beson se goditjet e kombinuara e kanë shtyrë programin iranian për rreth dy vjet – nëse Irani nuk arrin të rindërtojë objektet, çka sipas Izraelit nuk do të lejohet.

Jeffrey Lewis, ekspert armësh bërthamore, konfirmoi për CNN se sulmet nuk kanë arritur të asgjësojnë programin: “Objektet thelbësore në Natanz, Isfahan dhe Parchin nuk janë shkatërruar, dhe mund të shërbejnë si bazë për rikthimin e shpejtë të programit.”

Ndërkohë, dy brifingje të klasifikuara për Kongresin amerikan u shtynë pa sqarime. Deputeti demokrat Pat Ryan shkroi në X (ish-Twitter): “Trump anuloi brifingun e klasifikuar për sulmet ndaj Iranit pa dhënë asnjë shpjegim, sepse e di që ekipi i tij nuk mund të mbështesë deklaratat e tij boshe.”

Sipas burimeve, SHBA gjithashtu beson se Irani mban objekte sekrete bërthamore që nuk u prekën nga sulmet dhe mbeten funksionale.

Gjithashtu, është zbuluar se në Isfahan nuk u përdorën bomba bunker-buster, por raketa Tomahawk të lëshuara nga një nëndetëse amerikane – për shkak se strukturat janë shumë thellë nën tokë për t’u depërtuar.

Pavarësisht toneve triumfaliste nga Trump dhe Hegseth, Kryetari i Shefave të Shtabit Gjeneral Dan Caine paralajmëroi se është “shumë herët” për të thënë nëse Irani ende ruan kapacitete bërthamore.