Një 52-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në qytetin e Shkodrës. Në një tjetër rast, është proceduar penalisht një shtetas për kryerje punimesh ndërtimi pa leje.
Ndërkohë, në fshatin Theth, një 24-vjeçar është shpallur në kërkim pasi dyshohet se ka dëmtuar me mjet prerës gomat e dy automjeteve të përdorura nga shtetas të huaj, për shkak të një konflikti për motive të dobëta.
Po ashtu, është referuar në Prokurori një rast i drejtimit të automjetit pa leje drejtimi nga një 17-vjeçar.
Njoftimi:
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin S. M., 52 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. Ll., pasi u konstatua se kishte kryer punime ndërtimi, pa leje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Postës të Policisë Theth shpallën në kërkim shtetasin V. B., 24 vjeç, banues në fshatin Theth, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me mjet prerës, gomat e dy automjeteve që përdoreshin nga shtetas të huaj.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për një 17-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.