Vitamina D, e njohur ndryshe si “vitamina e Diellit”, luan një rol thelbësor në shëndetin e kockave dhe sistemit imunitar. Trupi ynë e prodhon këtë vitaminë natyralisht kur lëkura ekspozohet ndaj rrezeve të diellit, por ajo mund të merret edhe përmes ushqimeve ose suplementeve.
Megjithëse e rëndësishme për të gjithë, disa grupe kanë nevoja më të larta për këtë vitaminë jetike. Mjekët theksojnë se fëmijët deri në moshën 1 vjeç, gratë shtatzënë dhe ato që ndodhen në periudhën e menopauzës janë veçanërisht të rrezikuara nga mungesa e saj. Në disa raste, edhe burrat që vuajnë nga mungesa e vitaminës D mund të përfitojnë nga suplementet.
Shumë njerëz i drejtohen suplementeve pa konsultim mjekësor, por mjekët paralajmërojnë se marrja e pakontrolluar e kësaj vitamine mund të sjellë pasoja negative. Sasia e tepruar nuk përmirëson shëndetin, përkundrazi, mund të dëmtojë funksionimin e organeve të brendshme.
Rekomandimi kryesor mbetet i qartë: përdorimi i suplementeve të vitaminës D duhet të bëhet vetëm pas këshillimit me mjekun, bazuar në analizat e gjakut dhe nevojat individuale.