FLASH :

Virginia Giuffre, akuzuesja e Princit Andrew dhe Jeffrey Epstein, ndërron jetë

Virginia Giuffre, e cila akuzoi Princin Andrew dhe Jeffrey Epstein për abuzim seksual, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare, duke kryer vetëvrasje, njoftoi familja e saj.

Giuffre ishte një nga akuzueset më të zëshme të Epstein-it dhe ish-të dashurës së tij, Ghislaine Maxwell, të dy dënuar për abuzim seksual. Ajo pretendonte se ishte trafikuar te Duka i York-ut kur ishte vetëm 17 vjeçe, akuza që Princi Andrew i ka mohuar fuqishëm.

Në një deklaratë të bërë publike të premten, familjarët e saj e përshkruan atë si një “luftëtare të fortë në betejën kundër abuzimit seksual”, duke shtuar se “barrën e abuzimeve… nuk mundi më ta përballonte”.

“Ajo humbi jetën si viktimë e përjetshme e abuzimit seksual dhe trafikimit njerëzor,” thuhet në deklaratë.

Në të njëjtën deklaratë, Virginia Giuffre u përshkrua si “drita që frymëzoi shumë të mbijetuar”, dhe u bë e ditur se ajo ndërroi jetë të premten në fermën e saj në Australinë Perëndimore.

Policia e Australisë Perëndimore tha se u thirr në një banesë në zonën Neergabby të premten në mbrëmje, ku Giuffre u gjet pa shenja jete. Hetimet po kryhen nga Njësia e Krimeve të Rënda, megjithatë indikacionet fillestare sugjerojnë se vdekja nuk është e dyshimtë.

E lindur në SHBA, Giuffre jetonte në periferi të North Perth me fëmijët e saj dhe bashkëshortin Robert, megjithëse raportet e fundit tregonin për një ndarje pas 22 vitesh martesë.

Tre javë më parë, Giuffre kishte postuar në Instagram se kishte pësuar një aksident të rëndë automobilistik, ndonëse më pas familja e saj tha se ajo nuk kishte pasur synim ta bënte publik lajmin. Policia lokale e minimizoi ashpërsinë e aksidentit.

Zëdhënësja e saj prej kohësh, Dini von Mueffling, e përshkroi Giuffre si “një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm” që kishte pasur nderin të njihte, duke theksuar se ajo ishte “një fener shprese për viktimat e tjera”.

Pasi publikoi akuzat e saj për abuzim, Giuffre u bë një figurë e rëndësishme në fushatën kundër abuzimit seksual dhe u lidh ngushtë me lëvizjen “Me Too”.

Ajo kishte akuzuar se Epstein dhe Maxwell e kishin trafikuar te Princi Andrew në moshën 17-vjeçare. Princi Andrew i mohoi të gjitha akuzat, por në vitin 2022 arriti një marrëveshje jashtë gjykate me Giuffre, ku shprehej keqardhje për lidhjen me Epstein, pa pranuar fajësi apo kërkuar ndjesë.

Giuffre kishte treguar se u bë viktimë e trafikimit seksual në adoleshencë, pasi ishte njohur me Ghislaine Maxwell në vitin 2000. Më pas, ajo u prezantua me financierin amerikan Epstein dhe akuzoi atë dhe bashkëpunëtorët e tij për abuzime të vazhdueshme.

Jeffrey Epstein kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019, ndërsa priste gjyqin për trafikim seksual. Ai ishte dënuar më parë në vitin 2008 për rekrutimin e një të miture për prostitucion.

Ghislaine Maxwell u dënua me 20 vjet burg në SHBA për rolin e saj në trafikimin dhe abuzimin e viktimave së bashku me Epstein-in.