Policia e Vlorës ka intensifikuar kontrollet e përditshme në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme përgjatë vijës bregdetare.
Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit, shërbimet e DVP Vlorë liruan një hapësirë në plazhin e Radhimës, e cila ishte zënë pa leje me 24 çadra dhe shezlongë.
Për këtë rast është proceduar penalisht shtetasi O. R., 39 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Ndërkohë, materialet janë referuar në Prokurori dhe mjetet e sekuestruara janë hequr nga hapësira publike.
Policia e Vlorës thekson se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje në gjithë qarkun dhe u bën thirrje bizneseve që operojnë pranë vijës detare të respektojnë ligjin, përndryshe do të përballen me masa penale dhe administrative.







