Një zjarr i fuqishëm ka shpërthyer të mërkurën pranë qytetit turistik të Çesmesë, në provincën perëndimore të Izmirit, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët nga tre lagje dhe të mbyllin autostradën Izmir-Çesme për qarkullimin civil.
Sipas guvernatorit të Izmirit, Suleyman Elban, zjarri, i nxitur nga erëra të forta, shpërtheu pas 24 orësh qetësie relative dhe nuk është vënë ende nën kontroll. Ai deklaroi se sipas të dhënave paraprake dhe dëshmive në vendngjarje, zjarri u shkaktua nga një kabllo e rrjetit të energjisë elektrike.
Flakët kanë avancuar në drejtim të zonës së Urlës, ndërsa masat e emergjencës janë intensifikuar për të mbrojtur banesat dhe zonat e banuara. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin zonën dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të ndërhyrjes.
Kjo ngjarje ndodh në një periudhë të mbushur me zjarre në rajon, ku edhe Greqia po përballet me situata të ngjashme në Kretë, duke e kthyer Mesdheun Lindor në një vatër të nxehtë emergjencash mjedisore.