FLASH :

Video/“Zëri që tremb hajdutët” – Gruaja që turpëron vjedhësit në sy të gjithë botës

Një video dramatike nga Venecia tregon momentin kur një grup vjedhësish xhepash kapen në flagrancë nga këshilltarja Monica Poli – e njohur ndryshe si “Lady Pickpocket”. E armatosur vetëm me telefonin e saj, Poli patrullon nëpër sheshe dhe stacione tragetesh duke ndjekur hajdutët e shumtë që i kanë kthyer turistët në pre të përditshme.

Pasi njohu një vajzë të re teksa ndiqte një turiste mbi urën e famshme Rialto, Poli bërtiti në italisht dhe anglisht “Kujdes, hajdut xhepash!”, duke i detyruar autorët të largohen. Në një tjetër video ajo përball një grup të rinjsh në një kalatë, ku paralajmëron me zë të lartë turistët për të ruajtur sendet personale. Monica, e cila është edhe anëtare e partisë Liga e Veriut dhe themeluese e grupit “Non Distratti”, është kthyer në heroinë lokale, me videot e saj që mbledhin miliona klikime.

Sipas policisë, 900 portofola janë rikuperuar vetëm këtë vit, ndërsa 100 persona janë arrestuar – shumica prej tyre fëmijë të moshës 12-13 vjeç, të cilët nuk mbajnë përgjegjësi penale. Ndryshimet ligjore të vitit 2022 kanë vështirësuar dënimet, pasi viktimat duhet të paraqiten personalisht në gjykatë – një gjë e pamundur për shumicën e turistëve të huaj.

Përkundër kërcënimeve dhe sulmeve verbale, Monica Poli thotë se nuk do të ndalet: “Kur shoh të moshuar apo persona me aftësi të kufizuara që vidhen, më ndizet zemra. Do të vazhdoj të luftoj.” Ajo këshillon vizitorët që të mbajnë çantat përpara, të mbyllura, të shmangin grumbujt dhe të jenë gjithnjë të vëmendshëm – pasi në Venecia, hajdutët duken si turistët e zakonshëm.